TV LIVE
Nga Bota
17 October 2024
Harris: Dështuam me emigrantët! Kandidatja demokrate për presidente flet për Fox News dhe fajëson Donald Trump

Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris foli për herë të parë në rrjetin televiziv Fox News, i njohur për qëndrimet konservatore, në një intervistë e cila u shoqërua me tensione për çështjen e emigrantëve dhe ndryshimin e qëndrimeve politike.

Harris pranoi dështimet në kufirin jugor me Meksikën, ndërsa fajësoi republikanët për pengesat në miratimin e një projektligji për kufirin.

“Nuk jam krenare të them se ky është një sistem i përsosur emigrimi. Kam qenë e qartë, mendoj se të gjithë jemi të qartë që duhet rregulluar. Është gjithashtu e vërtetë që nëse një siguri kufitare do të ishte miratuar nëntë muaj më parë, do të kishim më shumë agjentë në kufi, më shumë mbështetje. Donald Trump u kërkoi republikanëve të refuzonin një projektligj dypartiak mbi imigracionit sepse atij i pëlqejnë problemet në vend që t’i zgjidhë ato”, tha Harris.

Harris siguroi se nëse do të zgjidhet presidente, mandati i saj nuk do të jetë vazhdim i presidencës Biden.

“Unë përfaqësoj një gjeneratë të re të lidershipit. Unë, për shembull, jam dikush që nuk e kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sime në Uashington, DC. Ftoj këdo, qofshin republikanë, sektorin e biznesit dhe të tjerë që mund të kontribuojnë në vendimet që do të marr unë”, tha Harris.

Intervista për Fox News, vjen si një përpjekje e drejtpërdrejtë e Harris për të fituar mbështetjen e një numri të vogël republikanësh të pakënaqur me Trump./vizionplus.tv



Të ndryshme
Më shumë