Kryeministri Edi Rama gjatë podkastit “Flasim”, ka folur për protestat e organizuara në vend nga opozita, ndërsa u shpreh se dy kanë qenë protesta qytetare dhe që kanë mbledhur njerëz, ajo e armëve kimike dhe ajo e studentëve.
Rama u shpreh mes të tjerash se në Shqipëri vetëm dy kanë qenë protesta qytetare dhe që kanë mbledhur njerëz, kurse të tjerat nuk janë protesta, por shfaqje, manifestime politike për interesa për pushtet.
“Dy protesta ka pasur në Shqipëri që kanë qenë protesta, sa kohë jam unë këtu. Të tjerat nuk janë protesta. Janë shfaqje, manifestime politike për interesa për pushtet. Nuk janë protesta. Janë protesta partie. Ka një traditë proteste në Shqipëri, kemi bërë dhe ne kur ishim në opozitë, por ato nuk janë protesta të shoqërisë, por organizime të partisë”, tha Rama.
Kryeministri veçoi protestën kundër armëve kimike dhe atë të studentëve.
“Ato ishin protesta. Kishte një ndjeshmëri të brendshme që i sillte njerëzit atje. Kishte elektrizim që shtonte me minuta numrin e njerëzve të përfshirë dhe kishte sens qytetarie” tha Rama. (video: nga minuta 25)
Gjatë podkastit “Flasim” ku të ftuar kishte Gentian Shaqirin, një pedagog i apasionuar pas motosportit, Rama u ndal te studentët dhe çështjet e arsimit.
Duke folur për arsimin, Rama tha se “duhet të bashkëpunojmë më shumë me universitetet për t’i dekurajuar prindërit që t’i çojnë në universitet, kur fëmija nuk është për atje”.
“Jo se fëmija është më pak i zgjuar por se ka të tjera interesa dhe një tjetër situatë, të shkojë në arsimin profesional. Siç këta më të mirët integrohen në tregun e punës, dhe ata të tjerët ngelen rrugëve thonë kam një diplomë ekomoniku që nuk i duhet. E kundërta ndodh me ata të arsimit profesional. Pjesa dërrmuese integrohen në punë”, shtoi Rama.