Prokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Arben Hoti, duke folur për fajdet, ka treguar një rast ku një person kishte marrë fillimisht mori 5 mijë euro, më pas edhe një shumë tjetër, e që detyrimi final dyshohet se ka tejkaluar shumën prej 100 mijë eurove.
“Personi fillimisht është futur me rreth një mijë euro, ka filluar domethënë të marrë pjesë në lojë, ai fillimisht ka pasur mjetet e tij personale, të cilat është joshur dhe ka marrë pjesë në lojë, i ka humbur të njëjtat, më pas si rezultat i humbjes i është mundësuar që të luajë të themi në borxh dhe ky borxh më pas në pamundësi të përmbushjes është detyruar të marrë para me fajde për të paguar këtë borxh e më pastaj ka vazhduar në këtë formë domethënë t’i rritet kamata mujore në pamundësi të përmbushjes së detyrimeve të kontraktuara” – tha Hoti për Kallxo.com.
Sipas Hotit, me aq sa Prokuroria ka njohuri deri në këtë fazë të hetimit besohet se në rastin konkret detyrimi ka tejkaluar shumën prej 100 mijë euro.
“Prokuroria do të zhvillojë hetime të mëtutjeshme për të caktuar drejt dhe saktë se sa ka qenë i tërë apo shuma e përgjithshme e kamatave dhe detyrimeve të krijuara” – theksoi Hoti.Prokurori gjatë intervistës tregoi se viktima fillimisht është detyruar të marrë diku rreth pesë mijë euro, pastaj është kthyer e ka marrë edhe shuma të tjera.
Prokurori Hoti tha se format e kamatave ndryshojnë nga grupe të caktuara dhe se jo në secilin rast janë strikte, pra sipas tij secili grup ka metodat e veta në situata të caktuara ka kamata apo kontraktime të kamatave në afate dhjetëditore dhe në afate mujore.
“Në rastin konkret ka filluar në afate mujore e ka përfunduar në afate dhjetëditore” – tha Hoti.
“Domethënë kur i ka marrë në fillim i ka marrë që brenda muajit të caktuar të kthehen me shumën e kontraktuar me 10 për qind apo 15 për qind interes, me pas në pamundësi të përmbushjes të detyrimeve apo pagesës së këtyre kamatave apo interesit atëherë afati i është shkurtuar në afatin prej dhjetë ditëve, kështu ka arritur deri tek rritja e detyrimit të tij ndaj të dyshuarve të kësaj vepre” – vazhdoi tutje prokurori.
Detajet e dhëna nga organet kompetente tregojnë se katër persona janë arrestuar për këtë rast. Ata po dyshohen për veprat penale – fajde, dhe – organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm.