Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Bosnjë-Hercegovinën qendrore kanë lënë të paktën 19 persona të vdekur, me qytete dhe fshatra të bllokuara dhe në disa vende shtëpitë janë pothuajse të zhytura.
Disa nga pamjet më të rënda ishin në zonën përreth Jabllanicës, një qytet në rrugën kryesore midis qyteteve të Mostarit dhe kryeqytetit, Sarajevës, rreth 70 km në veri-lindje.
Me këtë fatkeqësi të Bosnjës është solidarizuar Bashkimi Europian, Turqia e disa vende të tjera.
“Përmbytjet katastrofike në BeH kanë shkaktuar tashmë disa viktima dhe shumë të zhdukur. BE qëndron në solidaritet me Be H”, ka shkruar Borrell, i cili shtoi se EUROFOR do të mbështesë reagimet e emergjencave.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të mëtejshme përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së”, tha Borrell.
Edhe zyrtarët të tjerë europianë dhanë mbështetje për banorët e zonave të përmbytura dhe programi Copernicus u aktivizua, sipas mediumit boshnjak “Vijesti.ba”.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë tha se vendi është i gatshëm të ofrojë ndihma humanitare për “Bosnjën vëllazërore”.
“Turqia është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e ndihmave humanitare për Bosnje e Hercegovinën miqësore dhe vëllazërore. Në bashkëpunim me autoritetet e BeH po bëhen përpjekje për të vlerësuar nevojat dhe për të ofruar ndihma”, tha MPJ turke, duke ngushëlluar për viktimat.
Aksionet e ndihmave po organizohen nga orët e mëngjesit dhe në shumë vende do të grumbullohen veshje, ushqime dhe këpucë për popullatën e prekur nga përmbytjet, shkroi Vijesti.
Ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të të zhdukurve, numri i të cilëve nuk dihet ende.
Po ashtu, edhe Kosova shprehi gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë Bosnjës.
Presidentja Vjosa Osmani tha se populli i Kosovës qëndron krah për krah me popullin e Bosnjës derisa shprehu gatishmërinë për çdo ndihmë të nevojshme.
“Populli i Republikës së Kosovës qëndron krah për krah me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës në këto kohë të vështira dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme”, tha ajo.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti në emër të popullit të Kosovës shprehi ngushëllimet më të thella familjeve dhe komuniteteve të prekura nga përmbytjet në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Ne jemi me ju në këto kohë të vështira dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi. Republika e Kosovës është me ju”, shkroi Kurti në “X”./Express/