TV LIVE
Nga Vendi
4 October 2024
Filipçe: LSDM do të iniciojë seancë të mbyllur, Mickoski të tregojë se cili është plani për eurointegrimet

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe i bëri thirrje kryeministrit Hristian Mickoski që të thirr seancë të mbyllur për hapat e ardhshëm për procesin e eurointegrimeve. Nëse nuk e bën këtë, atëherë, siç tha Filipçe gjatë emisionit të mbrëmshëm në “Klik plus” në TV 21, LSDM si grup parlamentar në Kuvend do të iniciojë seancë të mbyllur në të cilën VMRO DPMNE dhe shumica qeveritare, duhet të sqarojnë nëse kanë plan dhe si do të vazhdojë procesi eurointegrues.

“VMRO-DMNE dhe shumica qeveritare, ka obligim të thotë se si të vazhdohet në atë rrugë. Kuptohet se partneri i tyre strategjik Hungaria ka thënë se nuk mund të përzihet dhe se nuk mund të ndihmojë më, prandaj qeveria ka përgjegjësi. Unë besoj se kryeministri e ka një obligim të madh, tani duhet të tregojë planin e tij dhe planin e qeverisë. Si do të vazhdojmë, a kanë plan dhe në çfarë harku kohor do ta bëjmë këtë. A po mendojnë ndoshta të jenë pjesë e ndonjë aleance tjetër, a po mendojnë të na lënë të jemi zorrë qore në Ballkan dhe të jetojmë të vetëm, të izoluar dhe pa ndihmë”, tha Filipçe.

Sipas tij, garnitura qeveritare nuk ka të drejtë ekskluzive për të fshehur planin dhe hapat e ardhshëm nga opinioni. Ai ka theksuar se VMRO DPMNE ka ardhur në pushtet me premtime për përmirësimin e pozitës negociuese me BE-në, por siç thotë ai, “nuk kanë përmbushur asgjë, përkundrazi kanë përkeqësuar marrëdhëniet me fqinjët”.

Filipçe ka thënë se Qeveria nuk ka dëshirë t’i plotësojë kushtet e Kornizës negociuese që vendi të vazhdojë në rrugën evropiane. Për ndarjen nga Shqipëria, lideri i LSDM-së vlerëson se vendi do të qëndrojë në vendnumëro, nëse qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë.

“Vijon një periudhë serioze ku ne të duhet të qëndrojmë në vend. Tashmë ka një plan, plan serioz, të kryetares së Komisionit Evropian, nga viti 2024 në 2029 për të punuar seriozisht me vendet që janë më përpara rreth procesit të negociatave, me pranimin në pako që duhet të jenë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia. Por kjo nuk do të ndodhë nëse nuk bëjmë atë që duhet të bëjmë. Kjo do të thotë se na pret punë serioze në vitin 2024, 2025 dhe 2026 dhe nëse nuk fillojmë tani, e kemi lëshuar trenin, mbetemi me Moldavinë, Ukrainën, Bosnjën, Ukrainën”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.



Të ndryshme
Më shumë