Në një tjetër “listë të zezë” të Moskës zyrtare u gjet Maqedonia e Veriutsë bashku me 47 vende të tjera, për shkak të të ashtuquajturave “qëndrime shkatërruese që kundërshtojnë vlerat shpirtërore dhe morale ruse”. Analistët vendas nuk janë të befasuar nga politika e Kremlinit, shkruan Zëri i Amerikës, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për të njëjtat vende që Kremlini i shpalli armiqësore dy vjet më parë. Të gjithë këta janë anëtarë të NATO-s dhe BE-së, me përjashtim të Turqisë, Hungarisë dhe Sllovakisë.
“Bëhet fjalë për një listë me të cilën rusët duan të mbrojnë vlerat e tyre, vlerat e tyre shpirtërore dhe morale, ndryshe nga Perëndimi, i cili i shpall vlerat e tij sipas pikëpamjeve të tyre. Kjo nuk do të thotë asgjë për Maqedoninë, sepse Maqedonia tashmë është e vendosur në rrugën euroatlantike dhe ka vendosur për ato vlera. As nga kjo nuk do të ndjejmë pasoja”, thotë Mirçe Adamçevski, gazetar dhe analist.
“Federata Ruse ka të drejtë serioze dhe argumente për ta vendosur Maqedoninë në atë listë dhe kjo ka implikime serioze për mbijetesën e Maqedonisë,” shton Risto Nikovski, ish-ambasador në Moskë.
Nikovski beson se vendi po vuan pasoja të rënda negative për shkak të politikave të tij ndaj Federatës Ruse. Si shembull, ai tregon uljen e tregtisë dhe ndërprerjen e eksportit të produkteve bujqësore të rMV-së në tregun rus.
“Në situata të tilla kur një shtet i vogël dhe i varfër bën politikë që është në dëm të tij në interes të disa interesave të përbashkëta, duhet gjetur kompensim për dëmet”, vlerëson Nikovski dhe shton se vendi duhet të bëjë politikë të jashtme më fleksibile, të respektojë normat dhe interesat ndërkombëtare, por të kujdeset edhe për interesat e veta.
“Mendoj se është e gabuar që Maqedonia të jetë ndër donatorët më të mëdhenj për banor të ndihmës ushtarake për Ukrainën, edhe pse në parim çdo agresion duhet të dënohet”, thotë Nikovski.
Sipas Adamçevskit, i cili konsiderohet si njohës i mirë i marrëdhënieve maqedono-ruse, ndikimi i Moskës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, është në rënie.
“Pikëpamja ime është se Rusia e humbi Ballkanin në vitet ’90 në kohën e Boris Elcinit. Ne të gjithë zgjodhëm Perëndimin. Që atëherë e tutje, Rusia mund të jetë duke u përpjekur. Por në vitin 2017, kur kishte protesta, kur po ndryshonte, qeveria e Gruevskit kishte propagandë ruse dhe përpjekje për ndikim rus në Maqedoni, por që atëherë nuk ka pasur ndikim të hapur rus”, thotë Adamçevski.
Ai shton se ndikimi rus është më i dukshëm në Serbi, e cila është shumë e varur nga Rusia.
“Ndodh nga Serbia, nëse ka materiale propagandistike apo ka diçka që i referohet Maqedonisë, portalet tona i marrin ato gjëra në mënyrë jokritike dhe del se propaganda është edhe në Maqedoni”, thekson Adamçevski.
Ai beson se si në Bullgari ashtu edhe në Mal të Zi, valvula për ndikimin rus po mbyllet ngadalë por sigurtë.