Me ftesë të ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla po merr pjesë në Konferencën e 45-të Ministrore të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, që po mbahet në Paris.
Kjo pjesëmarrje është një mundësi e rëndësishme për Kosovën për të avancuar interesat e saj në skenën ndërkombëtare dhe për të krijuar lidhje të reja të rëndësishme bashkëpunimi me vendet anëtare të ONF-së.
“Gjatë kësaj konference, Kosova do të promovojë aspiratat e saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe të forcojë dialogun me vendet frankofone, duke përfituar nga përvoja dhe mbështetja e tyre në fusha kyçe si ekonomia, inovacioni dhe edukimi. Për më tepër, pjesëmarrja e Kosovës në këtë konferencë që mban moton ‘Krijoni, inovoni dhe ndërmerrni në frëngjisht’ nënvizon përkushtimin e saj ndaj diversitetit kulturor dhe gjuhësor, si dhe përpjekjet për të zgjeruar hapësirat e diplomacisë ndërkombëtare”.
“Përfshirja e Kosovës në këtë konferencë është një hap konkret në vazhdimin e rrugës së saj drejt integrimit më të thellë në organizatat ndërkombëtare, duke forcuar marrëdhëniet me partnerët aktualë dhe duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me vendet e tjera anëtare të ONF-së”, njofton zyra për media e Gërvallës.