Trajneri Sylvinho do të drejtojë ekipin kombëtar në sfida vendimtare dhe të rëndësishme për fatet e skuadrave në kompeticionet respektive.
Shqipëria do të luajë dy takime të rëndësishme në transfertë ndaj Çekisë më 11 tetor në orën 20:45 dhe tre ditë më vonë ndaj Gjeorgjisë, më 14 tetor, ora 18:00, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Kuqezinjtë do të vijnë në këtë grumbullim pas një fitoreje të rëndësishme me Ukrainën dhe një humbjeje, e para në shtëpi nën drejtimin e trajnerit brazilian me Gjeorgjinë.
Megjithatë ajo që shqetëson në këtë momente trajnerin është gjendja e lojtarëve, ku pritet të kemi mungesa sërish të rëndësishme.
Nëse në ndeshjet e shkuara u dëmtua Gjimshiti dhe Broja dhe nuk ishin të pranishëm, këtë herë ndoshta do të na duhet të bëjmë pa Elseid Hysajn.
Zëvendëskapiteni kuqezi i cili prej një muaji është jashtë listës së skuadrës së Lazios, sigurisht stërvitet, por pa asnjë minutë ndeshje dhe një stërvitje jo me ekipin e parë.
Gjithashtu do të jetë problemi i sulmit, pa Armando Brojën i cili është ende në fazë rikuperimi dhe këtë herë ndoshta pa Rei Manajn, gjithashtu i dëmtuar dhe sapo i është bashkuar grupit të klubit të tij në stërvitje por fakti që nuk është aktivizuar do të thotë se gjendja e tij ende nuk është për të luajtur 90 minuta, shkruan tch.
Vlen të theksohet rikthimi i Ernest Muçit në grumbullim pas mungesës surprizë në dy ndeshjet e shkuara, apo edhe i Uzunit i cili jo vetëm po bën mirë me Granadën, por nisur nga emergjenca e repartit ofensivë do të jetë një alternativë e vlefshme.
Megjithatë do të ketë edhe një javë kohë për të kuptuar se cilët janë gati dhe cilët jo, për këto dy ndeshje që do të vendosin shumë për objektivin tonë në Ligën e Kombeve.