Reperi Sean Combs, i njohur si P.Diddy, i cili është burgosur në New York dhe po pret të gjykohet për trafikim seksual, shantazh, detyrim, drogim e një mori akuzash të tjera, të martën mori një sërë padish të reja, ku në një konference shokuese për shtyp, një avokat amerikan ka thënë se është përfaqësues i më shumë se 120 individëve ku përfshihen persona të mitur si dhe një nëntëvjeçar.
Avokati nga Teksasi, Tony Buzbee, gjatë transmetimit live të kësaj konference, është zotuar para gazetarëve se “dita do të vijë” kur ai do të përmendë të tjerë të famshëm që janë të përfshirë në ndejat e ashtuquajtura “të çmendura” që bënte reperi.
“Do t’i ekspozojmë të gjithë të përfshirët, të cilët kanë lejuar që kjo gjë të ndodhë prapa dyerve të mbyllura. Do të përndjekim këtë çështje pavarësisht se kë implikojnë provat. Do të vijë dita kur, përveç Sean Combsit, do të përmendim të tjerë emra të famshëm dhe ka shumë prej tyre. Është listë e gjatë tashmë, por për shkak të natyrës së rastit do të sigurohemi, do të sigurohemi mire, se kemi të drejtë para se ta bëjmë atë hap. Emrat do të ju shokojnë”, ka thënë Buzbee.
Avokati gjithashtu ka cituar planet që i ka për t’i filluar paditë në disa shtete brenda 30 ditëve të ardhshme dhe ka premtuar se do të identifikojë të pandehurit tjerë në një datë të mëvonshme.
Ai gjithashtu ka thënë se do të tregojë se kush ishte vetëm kalimtarë në “ndejat e çmendura” e kush ishte pjesëmarrës inkurajues i abuzimeve të pretenduara e kush po bënte krimet krah për krah me Combsin.
“Këta njerëz që vetë e dinë kush janë, duhet të dalin vetë, e di se ndërsa ne flasim këtu ka shumë njerëz që ndihen nën siklet të madh. E di që shumë prej tyre në këtë moment janë duke shikuar nëpër historinë e telefonave të tyre për të fshirë të dhëna e mesazhe”, ka thënë ndër të tjera avokati.
Combs është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave, ndërkohë që dy herë i është i mohuar lirimi me kusht.
Një avokate nga ekipi i Combsit ka thënë se kjo gjë është duke u shndërruar “në një cirk mediash”.
“Zotëri Combs, në mënyrë të prerë dhe kategorike i mohon këto akuza false dhe shpifëse dhe nuk ka abuzuar seksualisht me askënd, e as me të mitur. Ai po pret me padurim ta dëshmojë pafajësinë e tij dhe të shfajësohet në gjykatë, kur e vërteta e bazuar në fakte e jo në spekulime, të dalë në shesh”, ka thënë ndër të tjera avokatja.