Ditën e djeshme në orën 19:00 të darkës në një nga pubet dhe kafenetë më të këndshme të kryeqytetit “HANA corner café” u mbajt një takim mes shkrimtarit Ardian Vehbiu dhe gazetares Elsa Demo.
Takimi titullohej pikërisht “Reader where art thou”, një takim ku u fol për librin, librin shqip dhe traditën e librit, veçanërisht atij shqiptar.
"Ky “kërkim” vjen si nevojë për të dalluar nga njëra anë lexuesin ideal që mbart në vete një tekst letrar, një pikturë, shfaqje teatrale, film, pjesë muzikore e çdo produkt tjetër kulturor për t’u lexuar (lexuesi implicit) dhe nga ana tjetër lexuesin real, ose subjektin e një sociologjie të leximit. Le ta mendojmë aktin e leximit a të shikimit si proces ku lexuesi nuk është marrës pasiv, por krijuesi i kuptimit të veprës dhe, njëherazi, produkt i leximit, aq sa të shndërrohet në depozitë i gjithë ç’ka lexuar, në bazë të kodeve që ia ka ngulitur kultura, si për të interpretuar ashtu edhe për të kataloguar.
Disa pyetje do të na orientojnë në këtë kërkim:
Çfarë sjell lexuesi si bashkautor i tekstit? Çfarë të drejtash ka? Çfarë i shton e çfarë i heq veprës? Çfarë përgjegjësie ka në rolin e vet si lexues? Ndaj autorit? Ndaj kanonit? Ndaj lexuesve të tjerë? Ndaj formimit të tij të vazhdueshëm si lexues? Çfarë ia ndërmjetëson leximin? Çfarë i dikton vepra? Si u bën ballë proceseve që ia ndikojnë/kufizojnë leximin? Si e vë nën kontroll intertekstualitetin? Çfarë zakonesh duhet të praktikojë për të ndërtuar një lexim vetjak, intim, privat e për t’u bërë ballë trendeve, trysnive nga rrjetet sociale dhe mendimit kolektiv (groupthink)? Si fitohet pavarësia nga (keq)edukimi, masmediat, vetëcensura, keqleximet, cektësia e një teksti, dembelia e lexuesit performativ?" - shkruhej në ftesën e hapur për takimin.
Ardian Vehbiu ndau me bashkëdëgjuesit që ishin të shumtë një anekdotë për një libër të Petro Markos që u çua për karton kur ishte botuar por i mungonte vetëm kopertina, pra në çastin e fundit. Ky kishte qenë një roman me gjashtëqind faqe që e gjithë Shqipëria e asokohshme, e uritur për ngjarje dhe histori mezi e priste. Ardian Vehbiu e tha këtë për të ilustruar censurën.
Por ky nuk ishte momenti më i veçantë i mbrëmjes. Momenti më i veçantë ishte bashkëbisedimi pas pyetjeve nga dy figura tashmë të njohura për mjedisin e “Peizazhe të fjalës”, revistës kulturore që Vehbiu drejton tashmë prej vitesh. Pyetësit ishin Edon Qesari dhe Blerina Kanxha.
Në diskutim mori pjesë dhe gazetarja Elsa Demo dhe kryeredaktorja e Peizazheve Elona Pira. Një panel ky pra jo homogjen. Ato ndanë eksperiencat e tyre me lexuesit, leximin dhe në kërkim të lexuesit dhe leximit. Mbrëmja përfundoi vonë, në orën 9 për vetëm pas dy orësh. A.K./TemA