Futbollist i Kombëtares, pasi la shenjë me kuqezinjtë në ndeshjen e tij të parë në Europian duke shënuar brenda 23 sekondash kundër Italisë, ka bërë të njëjtën gjë edhe mbrëmjen e djeshme, teksa ka gjetur rrugën e rrjetës me Rejnxhërsin në Ligën e Europës. Bajrami debutonte në fazën në grupe të një turneu madhor me klube dhe u tregua menjëherë i vëmendshëm për të çuar në rrjetë gjuajtjen e Desers të kthyer nga shtylla, duke i dhënë menjëherë avantazhin ekipit të tij ndaj Malmos, pas vetëm 55 sekondash.
REKORDI DHE NOTA– Skuadra skoceze kishte 26 vite, që nuk e provonte një gol në minutën e parë të një sfide europiane. Diçka të tillë e realizonte me Rejnxhërs, Xhenaro Gatuzo në vitin 1998. Asokohe i shënonte Beitar Jeruzalem, në kompeticionin e vjetër Kupa UEFA. Pas fitores 2-0 kundër Malmos, padyshim që Bajrami u shpall “Lojtari i Ndeshjes”. Ishte 8.8 vlerësimi që “Sofascore” i jep Bajramit pas paraqitjes mbresëlënëse. Ai luajti 84 minuta, për t’u zëvendësuar pasi kishte kryer misionin e tij. Ra në sy për 4 goditjet e tij, 3 prej të cilave në portë. Mesfushori ia doli të driblojë saktësisht 1 herë. Krijoi 3 shanse të mëdha, ndërsa 4 ishin pasime kyçe.
NDJESIA E GOLIT- Mesfushori komentoi edhe ndjesinë e golit të parë me Rejnxhërsin: “Ishte shumë e veçantë për mua të shënoja dhe të ndihmoja ekipin me gol. Ne duhet të ecim përpara sepse shumë ndeshje na presin. Jam shumë krenar për këtë gol. Bëmë presing të mirë dhe topi erdhi tek unë dhe shënova”, tha Bajrami për “dailyrecord.co.uk”.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL