TV LIVE
Nga Vendi
26 September 2024
INSPEKTORËT E TREGUT NË TERREN, PO KONTROLLOJNË NËSE JANË ULUR ÇMIMET, RISTESKI: NUK GUXON TË MOS RESPEKTOHET VENDIMI

Pasi Qeveria e vendit vendosi për kufizimin e marzhës së 73 produkteve, e njëjta ka filluar të praktikohet, por sa kjo masë po zbatohet në terren, për këtë inspektorët e tregut sot nxorën në terren plot 120 inspektorë, për të parë nga afër se sa kjo masë po praktikohet. Nga Inspektorati i Tregut thonë se tregtarët kanë pasur kohë të mjaftueshme për të shënuar produktet. Zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Marjan Risteski, theksoi se çdo sjellje e tregtarëve duke mos respektuar vendimin e Qeverisë, do të sanksionohet.

“Tani jemi në ditën e parë të zbatimit të kësaj mase dhe në bazë të informacioneve të cilat i kemi, na tregojnë se disa markete, këtë masë janë duke e respektuar, dhe kanë filluar t’i ulin çmimet. Por, sigurisht se kemi edhe raste të tilla, ku disa tregtarë akoma nuk po e respektojnë këtë vendim, ndërsa kohë për të njëjtën kanë pasur mjaftueshëm. Të gjithë ata të cilët nuk do ta respektojnë këtë masë, do të gjobiten nga Inspektorati i Tregut dhe dënimet janë shumë të larta.”, – deklaroi zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski.

Ndërsa nga Inspektorati i Tregut kanë pohuar se fuqishëm do t’i mbikëqyrin të gjitha vendet e shitjes, dhe numri i inspektorëve të cilët kanë dalë në teren është i madh.

“Inspektorati i Tregut tanimë është në terren dhe numri i tyre që janë në terren kapë shifrën e mbi 120, të cilët po kontrollojnë të gjitha vendet e shitjes në vendin tonë. Gjobat për të gjithë ato të cilët nuk do ta respektojnë këtë masë variojnë nga dy deri në 10 mijë euro dhe mbyllje të objekteve. Fakti që disa produkte nuk janë reduktuar, nuk do të thotë se tregtarët nuk e respektojnë masën, sepse shkohet sipas marzhës bruto të fitimit.”, – theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror, Goran Trajkovski.

Sipas Trajkovskit, shitësi i produkteve është i detyruar, që t’i shënojë produktet të cilat përfshihen nga lirimi i vendimit të Qeverisë. Të gjitha produktet të cilat përfshihen te ky lirim, duhet të mbajnë etiketën e ngjitur me mbishkrimin “Harxho më pak, më shumë për ty”. Shporta e vjeshtës do të jetë e vlefshme deri më 31 tetor, e më pas në shportën e pranverës do të përfshihen produktet që përdoren më shumë në atë periudhë të vitit. Ligji për praktikat e padrejta tregtare duhet të hyjë në fuqi të premten.



Të ndryshme
Më shumë