Është një nder dhe kënaqësi e veçantë të takoj sot përfaqësuesit e ambasadës së Republikës së Shqipërisë këtu në Maqedonë e Veriut, ambasadorin Z. Denion Meidani dhe konsullin Z. Enea Rapo. Prania juaj këtu forcon lidhjet tona të ngushta dhe miqësore, dhe na inkurajon për të thelluar bashkëpunimin në interes të përbashkët të popujve tanë.
Dy vendet tona ndajnë një histori të pasur dhe një kulturë të përbashkët, por ne besojmë se ky bashkëpunim mund të zgjerohet dhe zhvillohet më tej përmes projekteve dhe nismave konkrete në nivel lokal. Komuna jonë është e angazhuar të jetë pjesë aktive e këtij dialogu dhe bashkëpunimi, duke promovuar shkëmbime të frytshme në fushat e ekonomisë, arsimit, kulturës, dhe turizmit. Në veçanti, ne shohim një potencial të madh për të bashkëpunuar në projekte që mbështesin zhvillimin ekonomik lokal, përmirësimin e infrastrukturës, dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët tanë.
Përveç kësaj, ne duam të forcojmë partneritetet midis komunave tona dhe të krijojmë platforma të përbashkëta për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira në qeverisjen lokale, zhvillimin urban dhe nxitjen e inovacionit.
Një nga pikat më të rëndësishme të bisedës sonë ishte përqendrimi në pritshmëritë që kemi për qeverinë e re dhe angazhimin e saj për të promovuar bashkëpunim të ngushtë, sidomos në nivel lokal. Në këtë kuadër, shprehëm shpresën që të shmanget çdo formë hakmarrjeje, diskriminimi etnik apo politik, duke theksuar nevojën për një qeverisje që promovon drejtësinë, barazinë dhe respektin për të drejtat e të gjithëve.
Në këto kohë sfiduese, besojmë se është e domosdoshme që qeveria e re të ndërtojë ura bashkëpunimi mes komuniteteve të ndryshme, duke siguruar që politika dhe vendimmarrja të jenë përfshirëse dhe të fokusuara në interesin e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, politike apo fetare.
Bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe komunave, në këtë drejtim, luan një rol kyç në forcimin e mirëqenies sociale dhe kontribon drejt procesit të eurointegrimeve.
Në këtë kontekst, ju siguroj për gatishmërinë tonë të plotë për të bashkëpunuar me ambasadën dhe institucionet shqiptare në çdo nismë që do të kontribuojë në rritjen e miqësisë dhe bashkëpunimit midis vendeve tona. Shpresoj që ky takim të jetë vetëm fillimi i një kapitulli të ri dhe më të fuqishëm në marrëdhëniet tona.
Ju faleminderit Z. Ambasador.
Fatmir Dehari