Policia e Maqedonisë së Veriut do të mund të përforcojë kapacitetet për luftimin e dhunës në familje dhe në baza gjinore, përmes aplikacionit mobil që u promovua edhe nga Ministria e Ounëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.
“Drejtësi për dhunën në baza gjinore” është aplikacioni mobil i promovuar nga ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, për të përforcuar luftën kundër dhunës në baza gjinore dhe asaj familjare.
“Përmbajtja e aplikacionit është përpunuar nga grupi i punës me anëtare nga Qendra për trajnime, Byroja për siguri publike dhe Reparti për informatikë dhe telekomunikacion, ndërsa Misioni i OSBE-së në Vjenë ka dhënë mbështetje të fortë në përpunimin e aplikacionit”, sqaroi Policia.
Përmes aplikacionit do të përforcohen kapacitet e policisë aktuale dhe kadetëve gjatë trajnimit.
“Prej punonjësve të policisë pritet një përgjigje e shpejtë dhe efikase, por edhe një përgjigje që do të kënaqë plotësisht drejtësinë procedurale të viktimës”, deklaroi Toshkovski, duke theksuar që policia përballet me sfida të tilla në përpilimin e raporteve për dhunën gjinore dhe atë familjare.
Ministri vlerësoi që puna e policisë do të jetë e shpejtë dhe me përgjegjësi, pa diskriminim, veprime ku viktima do të jetë në qendër të vëmendjes. Në këtë fushë, ministri vlerësoi që digjitalizimi do të ndihmon në zgjidhjen e probleme.
Ndryshe, mbetet e hapur çështja se sa e sigurt dhe e mbrojtur ndihet viktima duke e ditur që autori i dhunës në familje është në liri, aq më tepër që ndonjëherë kalojnë edhe disa vite nga momenti i denoncimit të rastit në Ministrinë e Punëve të Brendshme deri në shqiptimin e dënimit për dhunë në familje. Gjatë këtyre viteve autori i dhunës në familje mund të arratiset, ta përsërisë veprën, ndërsa ndonjëherë ndodh edhe që viktima të heqë dorë nga ndjekja penale.
Numri më i madh i dënimeve që autorëve të dhunës në familje u shqiptohen në Gjykatën Themelore Penale në Shkup janë dënime me kusht, që praktikisht do të thotë se personat që kryejnë dhunë në familje mbeten të lirë, me kusht që brenda një afati të caktuar të mos kryejnë vepër të re.