TV LIVE
Nga Vendi
21 September 2024
Presidenca e RMV-së ‘nuk e njeh’ Gjuhën Shqipe, Qeveria pjesërisht, ndërsa Kuvendi po

Mediat maqedonase kanë analizuar sesi përdoret gjuha shqipe në komunikatat me mediat dhe ueb-faqet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Presidencës dhe Kuvendit, tani që me këto institucione kryesojnë drejtues të rinj.

Gjatë shtatë ditëve të analizuara (12-18 shtator) të komunikatave të këtyre tre institucioneve, mediat shkruajnë se Presidenca nuk e përdor fare gjuhën shqipe, Qeveria dërgon komunikata edhe në shqip edhe pse me vonesë, ndërsa Kuvendi gjithmonë e zbaton gjuhën shqipe, përveç përjashtimeve të rralla.

Gjatë shtatë ditëve të analizuara, presidenca nuk e ka dërguar as edhe një komunikatë në gjuhën shqipe, ndërsa praktikë të ngjashme ka pasur edhe gjatë kryesimit të këtij institucioni nga ish-presidenti Stevo Pendarovski. Kur bëhet fjalë për ueb-faqen, situata nuk është më e mirë, por përsëri është funksionale edhe në shqip.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në shtatë ditët e analizuara, pothuajse të gjitha komunikatat i ka dërguar në të dyja gjuhët, përveç një komunikate që është dërguar vetëm në maqedonisht.

Te Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk ka ndryshuar shumë praktika e komunikatave të dërguara në gjuhën shqipe nga koha e Qeverisë teknike apo nga ajo e LSDM-së. Në të tre rastet, komunikatat në gjuhën shqipe dërgohen në mënyrë të parregullt.

Gjegjësisht, çdo komunikatë fillimisht dërgohet në maqedonisht, pastaj në të dyja gjuhët njëherësh dhe dallimi midis dy komunikatave arrin deri në mbi dy orë. Kjo do të thotë, se pasi gazetarët tashmë e kryejnë punën, e përkthejnë komunikatën dhe plasojnë lajmin, arrin komunikata në gjuhën shqipe.



Të ndryshme
Më shumë