Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe gjyqtarët Tatjana Vasiq-Bosaxhieva dhe Fatmir Skender zhvilluan takim pune me ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Vall.
Në takim, siç njoftoi Gjykata Kushtetuese, është konstatuar realizimi i suksesshëm i aktiviteteve të Gjykatës të mbështetura nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe të parapara me Memorandumin e Mirëkuptimit të lidhur në shkurt të vitit 2024, siç është organizimi i Konferencës Ndërkombëtare me rastin e 60 vjetorit të ekzistimit të Gjykatës Kushtetuese dhe trajnimet e ardhshme që synojnë forcimin e kapaciteteve të Gjykatës.
Kryetari Kostadinovski e informoi ambasadorin Vall për prioritetet e tij në mandat, duke theksuar përkushtimin për paraqitjen e padisë kushtetuese si instrument për avancimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, duke siguruar një ligj prej dy të tretave për Gjykatën Kushtetuese që do të mundësojë pavarësi më të madhe të Gjykatës dhe forcimin e transparencës.
“Ambasadori Vall e informoi kryetarin Kostadinovski se në strategjinë e ardhshme zhvillimore të Misionit të OSBE-së në Shkup, fokusi do të jetë në Gjykatën Kushtetuese dhe ndër të tjera prioritetet kryesore do të jenë zotimet e vendosura bashkërisht për paraqitjen e padisë kushtetuese, rritjen e transparencës. dhe fuqizimin e kapaciteteve të shërbimit profesional”, kumtuan nga Gjykata Kushtetuese.
Në takim u arrit marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit për lidhjen e një Memorandumi të ri të Mirëkuptimit dhe formimin e ekipeve që do të specifikojnë segmentet e bashkëpunimit të mëtejshëm me qëllim të përmirësimit të punës së Gjykatës Kushtetuese dhe promovimit të vlerave që përfaqëson Misioni i OSBE-së në Shkup.