Qendra memoriale dedikuar At Gjergj Fishtës do të jetë gati brenda këtij muaj. Punimet në objektin e ndërtuar mbi rrënojat e banesës ku ka lindur poeti në fshatin Fishtë të Lezhës po shkojnë drejt fundit. Investimi i financuar nga Qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit është pjesë e projektit "Itenerari Fishtian", që nis nga Lezha dhe përfundon në Shkodër.
“Sistemi i jashtëm ka përfunduar. Rruga është shtruar dhe ka tre shesh-pushime. Objekti ka përfunduar, kanë mbetur gjëra të vogla teknike dhe deri në fund të muajit shtator është gati për inaugurim. Brenda ka salla, amfitear dhe dhoma për artistët”, tha Alfred Gjoni drejtues i punimeve.
Qendra kulturore dhe rekrative do të përfshijë hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, sesione krijimtarie dhe ekspozime të artistëve vendas e të huaj. Ajo është e lidhur përmes një rruge këmbësore me shtëpinë ku ka jetuar At Gjergj Fishta.
“Kjo kullë është ndërtuar në vendin ku ka lindur Fishta. Po kështu është dhe shtëpia ku ka jetuar për disa vite Fishta, e cila është restauruar dhe është e hapur për vizitorët. Të dyja objektet lidhen përmes një shtegu që është shtruar me çakull”, tha Paulin Zefi përgjegjes i kulturës, Lezhë.
Investimi kap vlerën e 93 milion lekëve si pjesë e intenerarit fishtian i cili përfshin vendet ku ka jetuar dhe shërbyer "At Gjergj Fishta" dhe që ju fton të zbuloni jetën e vepren e tij përmes një itinerari kulturor emocionues. A.K./TemA