TikTok ka argumentuar në gjykatë të hënën se ligji në SHBA – që do ta ndalonte përdorimin e këtij aplikacioni në rast se nuk shitet nga ByteDance – do të kishte ndikim të madh në lirinë e të shprehurit të përdoruesve të tij në SHBA, raporton “BBC”.
SHBA-ja kishte dalë me një ligj pas shqetësimeve se të dhënat e përdoruesve në SHBA mund të keqpërdoren nga autoritetet kineze.
TikTok dhe ByteDance vazhdimisht kanë mohuar lidhjet me autoritetet kineze.
Kompanitë ngrehën padi për të bllokuar ligjin në fillim të majit, duke e quajtur jokushtetues dhe se do të ishte goditje për lirinë e të shprehurit të 170 milionë përdoruesve amerikanë.
Paneli i përbërë nga tre gjykatës dëgjoi argumentet në një Gjykatë të Apelit në Washington DC të hënën.
“Ligji vendos ndalesë të jashtëzakonshme të të folurit duke u bazuar në rreziqe të papërcaktuara të së ardhmes”, ka thënë avokati i TikTok dhe ByteDance, Andrew Pincus. “Pronari i TikTok është ByteDance Limited, një kompani nga Ishujt Kajman”.
Por, gjykatësi Sri Srinivasan reagoi duke thënë se kompania i “është nënshtruar kontrolleve kineze”.
Pincus tha se Qeveria e SHBA-së nuk ka pretenduar se ka ndodhur ndonjë keqpërdorim, porse kompania po ndëshkohet për sugjerime se mund të ketë probleme në të ardhmen.
Ai u sfidua në argumentin e tij se ligji do të ishte një ndalim i paprecedentë i lirisë së të shprehurit.
Gjykatësi Ginsberg tha se ligji shënjestron një grup të kompanive të kontrolluara nga kundërshtarë të huaj, e jo vetëm TikTokun.