Aleanca për Shqiptarët, akuzon se organizatori i protestës së dhunshme për kishën e Gallatës, Dushko Pavllovski, është shok i afërt i ministrit Arben Taravarit dhe u.d kryetarit të Komunës së Gostivarit Valbon Limani. Ata shtojnë se ai ishte njëri ndër organizatorët e protestës së dhunshme që u mbajt dje në Komunën e Vrapçishtit ku, sipas tyre, bashkë me simpatizantë të tjerë të VMRO-së tentuan të hyjnë me dhunë në kabinetin e kryetarit, Isen Shabani duke lëshuar edhe kërcënime ndaj tij, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse Prokuroria mohoi të ketë pasur urdhër për arrestim, nga ASh thonë, se për arsyet e lartpërmendura, Shabani ishte edhe njëri nga dy të arrestuarit.
“Skenaret e këtilla për ngritje të tensioneve tanimë janë letër e lexuar e VMRO-së dhe Qeverisë monoetnike e cila kohë pas kohe, ashtu si në Kodrën e Diellit, tenton të mbjell kryqa dhe kisha edhe në vendvanime të tjera. Por, ajo që duhet t’i sqarohet opinionit është cila ka qenë lidhja dhe roli në këtë skenar i Arben Taravarit dhe pasardhësit të tij në krye të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani. Me këtë të fundit, Pavllovski ka publikuar fotorafi ku tregon afërsinë e ngushtë që kanë dhe mund të shihet qartë se bëhet fjalë për raporte të fuqishme mes dy personave në fjalë. Ndërkohë për qytetarët e Gostivarit është fakt i njohur edhe lidhja e ngushtë e Taravarit me Pavllovskin shumë kohë më parë”, thonë nga ASh.
Foto: ASh
Nga kjo parti kërkojnë nga Taravari që t’i përgjigjet opinionit në disa pyetje:
– Cila është arsyeja e afërsisë së Taravarit dhe Limanit me militantin e dhunshëm të VMRO-së?
– Cili është roli i Taravarit dhe Limanit në skenarin për uzurpimin ilegat të pronës afër kishës dhe ngritjen e kryqit në atë lokacion.
– Cili është interesi i Taravarit dhe grupit të tij për të inskenuar incidente dhe tensione ndëretnike?
Ndryshe, në rrjetet sociale më 10 shtator u publikua një video rreth kishës në fshatin Gallatë. Në video, e cila ishte shpërndarë nga shumë media në Maqedoninë e Veriut, shihet ekskavator dhe punonjës të policisë rreth kishës. Ai i cili e incizoi videon, deklaroi se ai dhe të tjerët janë ndërprerë në pastrimin dhe renovimin e kishës dhe se policët kanë marrë urdhër nga prokurori për arrestim.
Disa orë pas publikimit të videos, Prokuroria Publike raportoi se “prokurori publik nuk ka dhënë urdhër për arrestimin ose mbajtjen e asnjë personi” në këtë rast.
Bëhet fjalë për deklaratën e e Komunës së Vrapçishtit për moslejimin e punimeve ndërtimore në afërsi të rrugës magjistrale.
Kjo ka bërë që disa mediumet të publikojnë përmbajtje të pakonfirmuara dhe të manipuluar, të cilat mund të nxitin probleme ndëretnike.