TV LIVE
Nga Vendi
11 September 2024
VLEN: Ligji për përfaqësim të drejtë do të eliminojë abuzimet partiake në administratë!

VLEN përmes një komunikate akuzon BDI-në për abuzim dhe manipulim politik me të vetmin qëllim që të ruaj pushtetin.

“Koalicioni VLEN, si forca e re dhe shpresa e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, shpall me vendosmëri fundin e një epoke të gjatë abuzimi dhe manipulimi politik, të cilën për 22 vjet BDI e ka përdorur për të ruajtur pushtetin. Kjo parti, përmes mashtrimeve dhe propagandës, ka krijuar një sistem të deformuar që ka dëmtuar interesat e shqiptarëve dhe ka penguar përparimin e tyre. Është koha për ndryshime rrënjësore, për drejtësi dhe përfaqësim të drejtë”, njoftojnë nga VLEN.

Sipas VLEN BDI-ja ka keqpërdorur institucionet shtetërore për të manipuluar qytetarët shqiptarë duke i trajtuar si “vota”.

“BDI, me një histori të gjatë abuzimesh, ka keqpërdorur institucionet shtetërore për të manipuluar qytetarët shqiptarë. Duke i trajtuar shqiptarët si “vota” dhe jo si qytetarë që meritojnë dinjitet dhe mundësi të barabarta, kjo parti ka penguar zhvillimin profesional të shqiptarëve në administratën publike. Për më tepër, shumë shqiptarë janë lënë në pozita pa status të definuar pune, pavarësisht premtimeve të bëra gjatë viteve. Këto politika kanë çuar në humbjen e shpresës dhe migrimin masiv të të rinjve tanë. Koalicioni VLEN në vend të “balancuesit” do të sjellë një Ligji të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili do të garantojë barazi të plotë dhe përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet etnike. Koalicioni VLEN mbetet i përkushtuar për të siguruar që të drejtat e shqiptarëve dhe të gjitha bashkësive tjera etnike të jenë të garantuara, duke ofruar një qeverisje që bazohet në meritokraci dhe drejtësi. Fundi i politikave abuzive është i pashmangshëm, dhe ne jemi të gatshëm të ndërtojmë një sistem të ri, ku qytetarët do të kenë dinjitet dhe shpresë për të ardhmen”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.



Të ndryshme
Më shumë