Skandalet në lidhje me menaxhimin e Kombëtares së Kosovës në futboll nuk kanë të ndalur. Pas përjashtimit nga grumbullimi të yjeve si Edon Zhegrova, Aro Muriq dhe Florent Muslija, tash dy personalitete publikisht e kanë denoncuar Agim Ademin, kryetar i FFK-së. Gazetari i njohur Arlind Sadiku dhe analisti Ramiz Shala e kanë akuzuar Ademin për kërcënim ndaj tre futbollistëve të përjashtuar nga FFK-ja. Çka po ndodh?
Dje gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Dueli Sportiv”, Shala bëri një denoncim publik, duke thënë se Ademi ka kërcënuar tre futbollistët e përjashtuar. Sipas Shalës, Agemi ka kërcënuar Zhegrovën, Muriqin dhe Muslijen se do “tua shkatërroj karrierën”, “do tua thyej këmbët”.
“Para vendimit, Agimi i ka thirr të tre djemtë dhe po citoj me fjalë “Kam me iu shkatërru karrierën, ja u prishi fytyrën, këmbët bre ja u thej…Nuk ka marrë vendim Foda, përveç Agim Ademit. Nuk duhet ta mashtrojmë opinionin, sepse ata djem janë lojtarë të Kosovës. Na i njohim, edhe nëse kanë gabuar që nuk e besoj, edhe nëse dalin prej Agim Ademit e teposhtë edhe në kanagjegje janë shku” – tha mbrëmë Shala, ndër tjera.
Të njëjtën gjë sot e ritheksoi Sadiku, drejtor i sportit në “Artmotion” dhe njëri nga gazetarët më të ndjekur të Kosovës. Këtë kërcënim, Sadiku e ka quajtur si “skandaloze”.
“Skandaloze Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke iu thënë “jau thej komtë, jau prishi karrierën”!” – ka shkruar Sadiku në profilin e tij në Facebook.
Duke komentuar denoncimin publik të Sadikut, gazetari Berat Buzhala ka kërkuar përfshirjen e prokurorisë në lidhje me dyshimt për kërcënime ndaj Ademit.
“Prokuroria duhet me i thirre tre lojtaret e denuar, e me i pyet. Agim Ademi eshte recidivist ne kete drejtim. Agim Ademi eshte bullizues. Nese ai i ka kercenu lojtaret keshtu, atehere cka duhet me prite tjeter? Me jau thy nime kambet?” – ka shkruar Buzhala.