TV LIVE
Nga Vendi
9 September 2024
Mickoski propozon “platformë të përbashkët”: Duhet të kemi një marrëveshje për qëllimin strategjik, anëtarësimin në BE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në ceremoninë e shënimit të 8 shtatorit, Ditës së Pavarësisë, ka deklaruar se vendi i tij duhet të ketë një marrëveshje të përgjithshme me të gjithë aktorët e shoqërisë së vendit për të përmbushur qëllimin strategjik, anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE).

Nën sloganin qeveritar “Së bashku luftojmë, së bashku do t’ia dalim”, në mbarë vendin sot shënohet 8 shtatori, Dita e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ndërkohë manifestimi qendror u organizua nga qeveria e vendit me një akademi solemne, ku përveç interpretimit të veprave kushtuar festës së pavarësisë u shfaq edhe një videoklip i përgatitur me materiale arkivore nga referendumi i vitit 1991 që solli pavarësinë.

Në fund të programit, kryeministri Mickoski në adresimin e tij para të pranishmëve tha se kjo ditë “na kujton rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë”.

“Sot na pret një luftë e re, aq domethënëse sa krijimi i atdheut. Atë kohë (në vitin 1991) kishte entuziazëm, energji të madhe dhe miratim të referendumit. 33 vite më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe ne të gjithë jemi më me përvojë. Shumë disfata, shumë dështime, dështime të sistemit”, tha Mickoski.

Pavarësisht pas dekadash zhgënjimesh, theksoi Mickoski, beteja nuk duhet të ndalet sepse “patriotizmi është i njëjtë, por qëllimet dhe gjërat që duhet të fitojmë janë ndryshe”. Siç tha ai, tek kombi i tij ekzistojnë dy synime të mëdha, respektivisht të tejkalohet zhgënjimi nga dështimet i çdo njeriu të vetëm, si dhe të shtypet krimi dhe korrupsioni që “metastazon në të gjitha pjesët e shoqërisë”.

Më tej, Mickoski propozoi krijimin e një “platformë të përbashkët” me dhjetë pika, rreth së cilës kërkoi të bashkohen të gjithë aktorët shoqëror në vend për vendosjen e drejtësisë, shtetit të së drejtës, për të punuar kundër krimit, korrupsionit, emigracionit, si dhe për të ardhmen e përbashkët vendit.

“Duhet të kemi një marrëveshje të përgjithshme për të përmbushur qëllimin strategjik, anëtarësimin në BE. Nuk kemi alternativë tjetër, as nuk ka ndonjë mundësi tjetër reale. Dëshira e popullit për anëtarësim në Union është dëshira për një standard më të mirë, kritere më të larta, më shumë para dhe një sistem të rregulluar”, tha Mickoski, duke theksuar se shoqëria e vendit nuk duhet të devijojë nga rruga evropiane.

Ndër pikat që përmendi kryeministri në kuadër të platformës së tij, për të cilën kërkoi mbështetje edhe nga opozita, ishte edhe qëllimi për t’u distancuar nga konfliktet etnike dhe për të izoluar elementët që krijojnë përçarje etnike.



Të ndryshme
Më shumë