Personi që është therur mbrëmë me thikë në Deçan, është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe aktualisht po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Prishtinë.
Kjo u bë e ditur për Reporteri.net, nga Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i cili tha se i njëjti mbrëmë fillimisht është trajtuar në Qendrën Emergjente.
“Është trjatuar në Qendrën Emergjente mbrëmë dhe është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Kirurgjisë Torakale”, thuhet në përgjigjen e Sylës.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, tha se sipas informacioneve që kanë, gjendja shëndetësore e viktimës është mjaft e rëndë dhe se prokurori i rastit ka dhënë autorizim për arrestimin e të dyshuarit, i cili aktualisht gjendet në arrati.
Po ashtu, Nikçi bëri të ditur se janë duke u kryer veprime intensive për lokalizimin e arrestimin e këtij të fundit.
“Lidhur me këtë çështje rasti është inicuar “vrasje në tentativë”, ndërkaq Policia ka marrë autorizime nga Prokurori i Shtetit në mënyrë që të arrestohet personi i dyshuar, kurse viktima e këtij rasti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe sipas informative që i kemi, gjendja e tij shëndetsore është e rëndë. Policia në vendin e ngjarjes ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Ndërkaq, janë duke u marrë veprime konkrete e intensive në mënyrë që të lokalizohet e të arrestohet i dyshuari”, ka deklaruar Nikçi për Reporteri.net.
Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ku thuhet se i dyshuari pasi e ka sulmuar me thikë viktimën, është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
“Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime pasi që i njëjti dyshohet se është therë me një mjet të mprehtë-thikë nga i dyshuari kosovar, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima pas tretmanit mjekësor në QMF-Deçan, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”, raporti i sotëm i Policisë.