TV LIVE
Sport
7 September 2024
Kuqezinjtë të vendosur për fillim të mbarë

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e nis në terren neutral edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.

Sonte, nga ora 20:45, në Pragë të Çekisë, kuqezinjtë luajnë ndaj Ukrainës. Për shkak të luftës, Ukraina ka vendosur ta organizojë në Çeki ndeshjen e parë të Grupit 1 të Ligës B. Në grup janë edhe Çekia e Gjeorgjia. Grupi vlerësohet i vështirë, por te Shqipëria janë të përkushtuar të jenë të suksesshëm. Dhe fillimi i mbarë do të ishte shumë i rëndësishëm.

Ukraina, njëjtë si Shqipëria, u paraqit në “Euro 2024”. Për të dy ekipet kualifikimi në Evropian ishte sukses i madh.

Në “Gjermania 2024” Shqipëria nuk e kaloi grupin, ndonëse u vlerësua për paraqitjet ndaj Italisë e Kroacisë. Tani Shqipëria synon rritjen e mëtejme në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

“Është një grup shumë i vështirë. Katër ekipet bënë një Evropian të mirë. Trajneri i Ukrainës është shumë i zoti, e organizon mirë skuadrën, ka lojtarë shumë të mirë. Janë Sudakov, Mudryk e shumë të mirë. Ukrainasit janë teknikë, shumë fizikë dhe të organizuar. Kanë bërë një Evropian të mirë. Ukrainën duhet ta përballojmë fizikisht, pasi është ekip shumë i mirë dhe teknik”, ka thënë selektori Sylvinho në konferencën për shtyp, të premten.

Ai nuk mund të llogarisë në kapitenin Berat Gjimshiti dhe sulmuesin kryesor, Armando Broja. Të dy janë të lënduar. Por Sylvinho ka thënë se është një mundësi e mirë për lojtarët e tjerë, ata që janë në dispozicion.

Sylvinho është i bindur se entuziazmi do të jetë i duhur te kuqezinjtë.



Të ndryshme
Më shumë