TV LIVE
Sport
6 September 2024
Vendosi rekord të ri, Ronaldo: Të fitosh Europianin me Portugalinë është njëlloj si të fitosh Botërorin

Kristiano Ronaldo vendosi një rekord të ri me golin e tij të 900 si futbollist profesionist në ndeshjen e Ligës së Kombeve që Portugalia fitoi përballë Kroacisë. Futbollisti 39-vjeçar u bë i pari që e arrin këtë shifër të dokumentuar, edhe pse në vite ka pasur gjithmonë diskutime nga lojtarë të tjerë që e kanë kaluar atë.

“Kjo do të thotë shumë për mua, është një objektiv që kam dashur ta arrij prej shumë kohësh. Unë e dija që do ta arrija këtë, pasi duke vazhduar të luaja, do të vinte në mënyrë natyrale. Ishte moment emocionues, pasi është një arritje. Duket thjesht si një tjetër objektiv i arritur, por vetëm unë dhe njerëzit që kam përreth e dinë se sa e vështirë është të punosh çdo ditë, të jesh fizikisht dhe psikologjikisht gati, që të shënosh 900 gola. Është një arritje unike në karrierën time”, tha portugezi pas ndeshjes.

Tani të gjithë presin që Ronaldo të provojë edhe një turne të fundit, Botërorin 2026 me Portugalinë, por sulmuesi tha se nuk e ka prioritet dhe nuk e sheh si domosdoshmëri.

“Fitorja e Europianit me Portugalinë është e barazvlefshme me fitoren e Kupës së Botës. Kam fituar dy trofe me Portugalinë që i dëshiroja shumë, nuk është kjo ajo që më motivon. Jam i motivuar duke iu gëzuar futbollit dhe pastaj rekordet vijën natyrshëm”, theksoi ai.



Të ndryshme
Më shumë