Këto ditë dolën nga shtypi librat më të fundit të botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Librat e dalë nga shtypi janë: “Poliedriku Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes” (Botimi i Akteve të Kuvendit të mbajtur më 5 maj 2023 si organizim i QSPA-së, në bashkëpunim me ASA); “Drita e Shejzave” – Publicistikë 1957 – 1974, ideuar, kuruar dhe me parathënie nga Prof. Ardian Ndreca; “Shkrime të Ernest Koliqit për letërsinë arbëreshe”, nën kujdesin e prof. Ymer Çiraku dhe dr. Loreta Loli; “Shënime kritike mbi letërsinë shqipe” me autor studiuesin arbëresh Giuseppe Gradilone, i cili vjen për herë të parë në shqip nën kujdesin e prof. Vjollca Osjes dhe me përkthim të prof. Edlira Macaj. QSPA bëri me dije se këto botime do t’u vihen në shërbim studiuesve, studentëve dhe publikut të gjerë të interesuar në çështje të letërsisë, gjuhësisë, medias dhe lëmin e historisë shqiptare. Këto tituj mund të gjenden së shpejti edhe në versionin online në faqen e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Ernest Koliqi u lind në Shkodër, i biri i Shan Koliqit dhe i Ages të Lacës së Zef Simonit, familje fort e kamur shkodrane. Nga i ati e kishin origjinën prej Lotajve të Shalës së Dukagjinit, të rënë në Anamal rreth vitit 1700 së pari, e pastaj në Shirokë. Prej një të pari i mbeti llagëpi Kolaj, të cilës iu vendos prapshtesa -iqi prej tregtisë të vazhdueshme me Malin e Zi. Ishte i dyti ndër fëmijët, mbas Mikelit – i pari kardinal shqiptar – dhe mbas tij vinin Leci, Guljelmi, Margerita, Antonjeta, Viktori dhe Terezina. Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Fillimisht në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia dhe pastaj në Bergamo. Me nxënës të tjerë hapi gazetën “Noi giovani” (shq.: “Ne të rinjtë”), ku botoi poezitë e para në italisht. U kthye në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjës, mësoi shqipen dhe falë njohjes me Gurakuqin njihet me të rinjtë Thaçi, L. Ashiku, Shuk e Karl Gurakuqi, Dom Shantoja, Kolë e Gjon Kamsi.
Më 1921 fitoi çmimin e parë në një konkurs për himnin kombëtar, juria e të cilit qe e përbërë prej Fishtës, Nolit, Frashërit e Gurakuqit. Në mars-prill mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Zef Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Mjedjës. Mbas Lëvizjes së qershorit, Gurakuqi e thërret në Tiranë si sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej të shuarit Rustemi, drejtuar tashmë nga Zai Fundo. Kaloi më pas si sekretar në Ministrinë e Mbrendshme, ku ministër ishte kolonel Shala.
MËRGIMI
Me rikthimin e Zogut në pushtet në dhjetor të 1924, doli në mërgim drejt Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, ku studioi gjuhën dhe letërsinë serbo-kroate. Qëndroi për dy vjet në Tuzla të Bosnjës. Më 1928 gjendej në Bari të Italisë. Në Zara të Dalmacisë botoi më 1929 përmbledhjen e parë me novela “Hija e Maleve”. U kthye në Shqipëri dhe nisi punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe mandej në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33). Nisi të verojë ndër bjeshkët e Dukagjinit ata vite ku përpos ndodhive shënonte edhe kangët e buta – siç i thonë në Dukagjin këngëve erotike – kujtime të cilat do t’i shkruante pas ’70 me pseudonimin “Hilushi”. Ndërkohë miku i tij Kruja i kërkon me mbledhë librat e bibliotekës së tij të cilat qenë shpërndarë ndër françeskanë e jezuitë mbasi lëshuan Shqipërinë në dhjetorin e 1924.
Më 1933 dha dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes Illyria, ku do të botonte poemthin në prozë Quattuor. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 u zbulua Migjeni me vjershën “Të lindet njeriu” me nxitje të Koliqit. Më 1936 e emërua lektor të shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Tagliavini. Më 1937 doktoroi po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. Palaj, tezë doktorate, e cila u vlerësua nga shumë albanologë si Jokli, Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i gjuhës shqipe. Ishte në krye të grupit që përgatiti agresionin e 7 prillit ndaj Shqipërisë. Koliqi thërret pikërisht Mustafa Krujën për të hyrë në bisedime mes mërgimtarëve shqiptarë dhe autoriteteve italiane.
MINISTRI
Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në prill 1939, Koliqi u emërua Ministër i Arsimit në qeverinë kolaboracioniste të Shefqet Vërlacit. Gjatë kohës sa qe ministër i arsimit, u bënë ndryshime në programet dhe tekstet shkollore; u futën lëndë të reja si: edukata fashiste, mësimi i fesë dhe kulturës romake, ndërsa gjuha italiane u bë e detyrueshme. Themeloi dhe drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940. Në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Tokave të lirueme. Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Përpjekje kjo, si shumë të tjera për ta shpëtuar studiuesin e shumëçmuar, që nuk dha rezultat. Koliqi është quajtur eminenca gri e Italisë në Shqipëri.
STUDIMET
U krijua fondacioni “Skënderbeu”, në gjirin e të cilit u mblodh Instituti i Studimeve Shqiptare. Me propozim të Koliqit në të u mblodhën emra të njohur të kulturës dhe shkencës, shqiptarë dhe italianë. Ministria e Arsimit në qeverinë pasardhëse Kruja pati si pasues Xh. Kortshën. Duke dhënë dorëheqjen, Koliqi kësodore i përkushtohet drejtimit të Institutit, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën. Në zgrip e kapitullimit të Italisë fashiste, më 1942 zëvendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit të Epërm Korporativ Fashist deri më 1943.[25] Në vjeshtën e 1943 prej portit të Tivarit shkoi në Itali me familjen dhe të afërmit e tij.
Më 1943 në Romë vazhdoi punën si ordinar në universitet dhe u emërua ambasador në Vatikan. Nga një telefonatë merr vesh për kapjen e P. Markos nga ana e gjermanëve, të cilit i shpëton jetën. Më 6 nëntor 1946 u krijua partia Blloku Kombëtar Indipendent me bërthamën krijuese e drejtuese të përbërë nga vetë Koliqi, dr. Ismail Vërlaci, Gjon Marka Gjoni dhe Ndue Gjon Marku – duke i ndenjtur veprës së Mark Gjon Markut. Kur Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë në 1948, mërgimtarët, mes të cilëve edhe Koliqi, i dërgonin letra Titos me anë të të cilave e ftonin atë ta sulmonte Shqipërinë, ta rrëzonte Hoxhën dhe t’ua linte vendin atyre.
Ata i premtonin Titos se Shqipëria e tyre do të ishte mike besnike e Jugosllavisë. Në mars të 1947 themeloi dhe kujdeset të botojë të përkohshmen “L’Albanie Libre” që ndali më 1959, e më pas “Lajmëtari i të Mërguemit”. Në Itali, themeloi të përkohshmen “Shêjzat” (it. “Le Pleiadi”) që e drejtoi për 18 vjet.
Kjo revistë qe vijimësi e traditës publicistike që la në Shqipëri me “Shkëndijat”, penat e hershme dhe ato të reja gjetën vend ku të kultivonin kulturën shqiptare në Itali. Koliqi ndihmoi talente të shumë fushave të ikur nga ishJugosllavia duke iu dhënë hapësirë ndër faqet e revistës, ndër ta piktori Lin Delija, shkrimtarët Camaj e Karakaçi dhe etnologu Malaj. Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare dhe Koliqi u emërua presidenti. Koliqi u lidh shumë me komunitetet arbëreshe të Italisë, me të cilët mbajti një marrëdhënie të ngushtë akademike dhe miqësie.
Ai shpesh shkonte në Palermo dhe Kozencë. Më 4 maj të 1969 i vdes bashkëshortja Vangjelija. Vdekja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvendësueshme e shpejtoi edhe vdekjen e tij. Koliqi vdes në shtëpinë e tij në Romë më 15 janar 1975 dhe u varros me datën 18 janar. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshme, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.
KRIJIMTARIA
Megjithëse poezitë e para i shkroi në italisht në fletoren e liceut, vepra e tij e parë qe poemthi dramatik “Kushtrim i Skanderbegut”, të cilin ia kushtoi shokëve të shoqërisë “Bashkimi” pjesë e të cilëve ishte edhe ai vetë. Poemthi artikulon idetë kombëtare të autorit që shtjellon një dialog për të kaluarën dhe aktualitetin e kohës në Shqipëri. Me veprën poetike “Symfonija e Shqipevet” mëton të evokojë kulturën si esencën e themelimit të një kombi, kulturë e evokon që nga thellësitë e antikitetit në katër kohët e veprës. Kangjelet e Rilindjes është një poemë e kënduar në shtatë pjesë, me temë arbëreshe e krijuar me idetë rilindëse duke iu referuar Këngëve të Milosaos të De Radës. Në këtë poemë autori kërkon të dëshmojë se si ruhet veçantia arbërore në kohë, edhe e shkëputur nga trungu, përmes arbëreshëve të Italisë.
Vepra poetike më me preteza letrare e Koliqit është “Gjurmat e Stinve”, botuar më 1933. Në këtë vepër kërkon të manifestojë vetëdijen e vet poetike në kohën e pjekurisë, i këndon Tingëllimit, por edhe i kushton tingëllime të ndjera qytetit ku kish lindur. Kulmin e vet letrar e arrin me librat e tregimeve “Hija e Maleve” (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit” (1936); me këta tituj u bë themeluesi i prozës moderne shqipe qoftë në nivel tematike, ashtu edhe stili. Libri i parë trajton tema për moralin e Malësisë, tragjiken e vet dhe mpleksjen me mjedisin qytetar, i dyti merret më shumë me jetën në mjedisin qytetar shkodran, mendësia, karakteret dhe paraqitje ironike të tipareve sociale të mjedisit qytetar; i treti është një biografi poetike e autorit me shtresëzim të shkollës simboliste. Më 1960 botoi romanin Shija e bukës mbrûme, që flet për nostalgjinë e emigrantëve.
Më 1932 vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie të Fishtës, një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston, Tason. Më 1935 Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” me parathënie nga Tagliavini, ku përfshiheshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n. Më 1961 nis të përkthejë Lahutën e Malcís në italisht, përkatësisht këngën XXVI, më tej më 1971 përktheu këngët XII-XIII-XIV dhe XV; më 1973 vazhdon të përkthejë pjesë të Lahutës. Nisi të botonte nga viti 1954 deri më 1961 studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”.
/Gazeta Panorama