Ikona e këngës shqipe, nderi i kombit, Vaçe zela tashmë është përjetësuar në një murale në Radio Televizionin Shqiptar, aty ku ajo mori famën që e shoqëroi gjatë gjithë jetës së saj.
Vepra e veçantë në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar u realizua nga artisti me famë ndërkombëtare Maximiliano Debasko, në një punë të palodhur prej dy ditësh.
Ikona e këngës shqipe, Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio Televizionin Shqiptar që prej organizimit të parë të tyre.
Është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Në vazhdim të karrierës do të fitonte edhe 11 çmime të tjera të para.
Do të largohej përfundimisht prej skenës në vitin 1992, duke lënë pas një kontribut të konsiderueshëm në muzikën shqiptare me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada e të tjera e tashme në muralen e realizuar do jetë e përjetësuar në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar përgjithmonë.
Artisti Maximiliano Debasko në kuadër të Mural Fest me kurator piktorin dhe artistin Helidon Haliti realizoi në Tiranë edhe muralen e shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa një vit më parë pikturoi portretin e yllit të futbollit ndërkombëtar Lionel Mesi.
Maximiliano Debasko është një artist mjaft i njohur për realizimin e portreteve e figurave me famë botërore si të futbollistëve David Bekam dhe Ronaldinjos.