Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli një ekspozitë në nderim të simbolit shqiptar dhe botëror të solidaritetit njerëzor.
Kjo ekspozitë “homazh”, kushtuar “Nobelistes së Paqes”, vjen përmes koleksioneve që zotëron BKSH-ja, të cilat kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë shembullore të Shën Terezës.
Nga lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores te poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, nga albumet mbresëlënëse të artistëve te monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për të, kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë me Nënën e tyre të Shenjtë, plot krenari e përkushtim.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin kryesor të BKSH-së.