TV LIVE
Nga Bota
4 September 2024
Dorëhiqet ministri i Jashtëm ukrainas për t’i hapur rrugë riformatimit të Qeverisë

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është raportuar të jetë anëtari i fundit i kabinetit qeveritar që ka dorëzuar dorëheqjen, pasi presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky, i ka bërë të ditura planet për riformatim të kabinetit, teksa vendi përballet e luftën e nisur prej Rusisë, dy vjet e gjysmë më parë.

Duke bërë të ditur dorëheqjen e Kulebas, kryetari i Parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, ka thënë se dorëheqja e ministrit të Jashtëm do të diskutohet nga ligjvënësit në Parlament.

Një ditë më parë, Stefanchuk ka thënë se zëvendëskryeministrja për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike, Olha Stefanishyna dhe zëvendëskryeministrja për Riintegrim të Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, Iryna Vereshchuk, kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Zelensky ka thënë se ndryshimet në Qeverinë ukrainase do të bëhen për të forcuar ekzekutivin dhe për të sjellë rezultatet që i duhen shtetit.

“Për këtë arsye do të ketë ndryshime të personelit në kabinetin e ministrave dhe zyrën e presidentit”, ka thënë ai më 3 shtator, duke dhënë sinjale se ndryshimet do të bëhen gjatë vjeshtës, raporton REL.

Një ditë më parë kanë dhënë dorëheqje edhe ministrat e Industrisë Strategjike, Drejtësisë dhe Ambientit.

Duke sqaruar ndryshimet, Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë për më shumë ndërveprim në mes të Qeverisë Qendrore dhe komuniteteve, sidomos teksa shteti përgatitet për sezonin e dimrit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.



Të ndryshme
Më shumë