Këtë të martë në qytetin e Elbasanit nëpërmjet ekspozitës fotografike të titulluar “Kongresi i Arsimit Mbarëkombëtar Shqiptar” u përkujtua 115-vjetori i Kongresit të Elbasanit. Ky Kongres mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme historike i cili do të vendoste hapjen e shkollës së parë Normale që do të përgatiste mësues për gjitha trojet shqiptare.
Detyrë e asaj kohe dhe porosi e Kongresit ishte ruajtja me fanatizëm si edhe përçimi i Gjuhës Shqipe brez pas brezi. Sot 115 vite më pas Gjuha Shqipe ndihet e rrezikuar ndër brezat e rinj për arsye nga më të ndryshmet. Ekspozita në fjalë u bë e mundur nga Muzeu Historik Kombëtar i cili nis një cikël aktivitetesh në të gjithë vendin për përkujtimin e datave të rëndësishme të cilat kanë bërë historinë e këtij kombi.
Kongresi i Elbasanit u mbajt në këtë qytet, jo vetëm për pozitën gjeografike të përshtatshme dhe lidhjet me të gjithë qytetet, por mbi të gjitha për kontributin që intelektualë e patriotë të asaj kohe kishin dhënë për vendin. Për shkak të këtyre ngjarjeve të rëndësishme, Elbasani mban ende me dinjitet titullin “qyteti i dijes dhe arsimit”. Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive patriotike shqiptare.U vendos gjithashtu të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale e cila do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht prej qeverisë turke.Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm lëvizjes kombëtare.