TV LIVE
Nga Vendi
3 September 2024
Gashi: Interpelanca ndaj meje është dorëzuar nga një parti albanofobe

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në seancën e sotme në të cilën në rend dite është interpelanca ndaj tij, mbajti fjalim duke thënë se “çdo bartës i funksionit shtetëror duhet të jetë mësuar të japë llogari për veprimet e tij, por secili duhet, gjithashtu, të jetë i gatshëm edhe të dëgjojë”.

Gashi në fjalimin e tij tha se interpelanca ndaj tij e dorëzuar nga partia “E Majta” ka qëllime dhe motive ideologjike.

“E Majta është partia që ideologjikisht, me aspektin e vet social, duhet të bashkojë dhe ta ushqejë popullin me idenë e barazisë. Kështu është teoretikisht, por, për fat të keq, në realitet është partia që shumë shpesh me qëndrimet e saj profilizohet në ekstremin e djathtë. Nuk po flasim këtu që pikërisht lëvizjet e tilla ideologjike në të kaluarën kanë prodhuar pamje dhe kujtime të errëta për mbarë botën. Ideologji në teori dhe krejtësisht tjetër në praktikë është diçka që nuk i shpreh motivet e vërteta të përfaqësuesve të kësaj partie. Të jesh i zëshëm, të jesh i dukshëm, është plotësisht legjitime, por të krijosh përçarje në një vend ku të gjithë luftojmë për barazi është keq për vendin dhe për rininë që nuk duhet të entuziazmohet me patriotizmin e rremë të mbështjellë me kuazi-nacionalizëm”.

“Ne të gjithë flasim me zë të lartë për BE-në, qytetarët flasin për bashkëjetesën, të gjithë themi se jemi këtu bashkë në të mirë e në të keqe, ndërsa vetëm kjo parti flet kundër tre shtyllave themelore të shoqërisë sonë – orientimin tonë euroatlantik, përkushtimin tonë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përkushtimin tonë për harmoninë ndëretnike. Është shumë keq kur luan me kartën e nacionalizmit, të gjykimit të tjetrit, pa i dëgjuar të gjitha faktet dhe argumentet. Por, sot jam këtu që nga kjo foltore ta shpreh qëndrimin tim. Investimi për të ardhmen e këtij vendi, ku dikush dëshiron ndarje me çdo kusht, mund të përfundojë me pasoja fatale për të gjithë ne”.

“Për këtë arsye ky është investim shumë i lartë për t’u injoruar. Nuk nevojitet kuptim i thellë i politikës për të parë se ata që e kundërshtojnë rrugën tonë euroatlantike, që i prishin marrëdhëniet tona me vendet fqinje dhe që e rrezikojnë kohezionin tonë të brendshëm etnik, në fakt punojnë kundër vetë ekzistencës së vendit tonë”, tha Gashi mes tjerash.

Ndryshe, deputetët e OBRM-PDUKM-së dhe Frontit Europian kanë thënë se nuk do ta mbështesin interpelancën ndaj Afrim Gashit./Telegrafi



Të ndryshme
Më shumë