Sulmuesi 25-vjeçar, Victor Osimhen pas mesnatës arriti në Stamboll për të firmosur kontratën e huazimit te Galatasaray. Ai është huazuar nga Napoli, por në kushte të veçanta dhe rrethana të veçanta po ashtu.
Shumë tifozë i bënë pritje të zjarrtë sulmuesit të suksesshëm.
Osimheni për katër vjet te Napoli i shënoi 76 gola në 133 paraqitje. Ai vitin e kaluar shfaqi pakënaqësi dhe dëshirë për t’u larguar nga napolitanët, të cilët i udhëhoqi drejt titullit në Serie A.
Napoli gjeti zëvendësimin dhe lejoi të largohet Osimhenin për 130 milionë euro. PSG-ja dhe Chelsea hoqën dorë, ndërsa u lajmëruan arabët. Al Ahli i ofroi Napolit 80 milionë euro dhe Osimhenit 120 milionë euro pagë për tri vjet. Marrëveshja u arrit shpejtë. Por presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis në bisedimet finale kërkoi edhe pesë milionë euro më shumë si dëmshpërblim. Arabët u ndien të ofenduar dhe vendosën për lojtar tjetër.
Në lojë hyri sërish Chelsea. U arrit marrëveshja mes klubeve, ndërsa nigeriani edhe më herët kishte kërkuar kalimin te Chelsea. Por Chelsea i ofroi pagë vjetore prej vetëm katër milionë euro dhe katër milionë të tjera në formë të bonuseve, në kushte të caktuara. Osimheni refuzoi ofertën. Ai te Napoli kishte të hyra prej 10 milionë euro.
Fare në fund u shfaq Galatasaray. Në Turqi afati kalimtar është ende i hapur. Galatës iu lëndua Mauro Icardi, ndërsa turqit e pasur kërkojnë me ngulm yjet në kulm të karrierës. I tillë është Osimheni.
Është arritur marrëveshja e huazimit deri në fund të edicionit, pa mundësi të blerjet.
Por Osimheni ia doli të negociojë disa opsione të mira. Klauzola e tij e lirimit nga Napoli ra në 75 milionë euro nga 130 milionë. Dhe në kontratë ka përfshirë dhjetë klube për të cilat vlen klauzola.
Në mesin e tyre besohet se janë Real Madridi dhe PSG-ja. Por kjo nuk është e tëra. Nëse i ofrohen këto para Napolit, Osimheni mund të largohet nga Galata që në janar, ndonëse huazimi është për një edicion.
Që rrëfimi të jetë edhe më interesant, Napoli e Osimheni kanë firmosur vazhdimin e kontratës. Ai tani është i lidhur me Napolin me kontratë deri në vitin 2027.
Osimheni po buzëqesh sërish. Ka festuar së bashku me tifozët me të arritur në Stamboll, ku iu bë pritje spektakolare. Tani prej tij pritet shfaqja në fushë. Priten golat.