Interpelanca për kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi do të jetë pika e parë e rendit të ditës së seancës parlamentare, e cila do të mbahet nesër më 3 shtator, transmeton Portalb.mk.
“Do të jetë një mesazh i mirë për të gjithë, për publikun dhe për partitë politike, se jemi të hapur për debat”, tha Gashi smë 27 gusht në një brifing me gazetarë, duke shtuar se interpelanca për të nuk është e qëndrueshme politikisht.
Sipas Rregullores së re të Kuvendit, nëse do të paraqitet interpelanca për një deputet apo kryetarin e Kuvendit, ajo duhet të vendoset si pikë e parë në rendin e ditës të seancës së ardhshme që do të caktohet.
Në LSDM ende nuk kanë qëndrim partiak lidhur me seancën e nesërme, tha sot lideri i partisë Venko Filipçe. Sipas tij, autoritetet partiake sot duhet të bëjnë një koordinim në të cilin do të merret vendimi.
“Gjatë ditës së sotme, kemi paraparë koordinim me deputetët e grupit parlamentar të LSDM-së dhe koalicionit”, tha Filipçe.
I pyetur se cili është qëndrimi i tij për interpelancën, ai thotë se duhet mbështetur.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja nuk do ta përkrahë iniciativën për interpelancë të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Ai tha se ka një numër të madh të argumenteve për marrjen e një qëndrimi të tillë. Ai e quajti iniciativën marrëzi.
“Kjo është papjekuri, do të thosha marrëzi e koalicionit LSDM, BDI dhe “E Majta” dhe se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit Gashi dhe ne nuk do ta mbështesim një iniciativë të tillë dhe kemi një sërë argumentesh pse nuk duhet ta bëjmë atë”, tha ai Mickoski.
Nga ana tjetër, dje, përfaqësues të partive shqiptare nga koalicioni “VLEN”, pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut u mblodhën në një takim pune, pas të cilit shprehën mbështetje për kryeparlamentarin Afrim Gashi.
Kjo ishte tema qendrore e takimit të djeshëm të VLEN-it.
“Trupi Koordinues politik i koalicionit VLEN u mblodh sot në një takim pune ku u diskutuan disa çështje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në qendër të diskutimeve ishte interpelanca e parashtruar ndaj kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, dhe deklaratat e fundit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe balansuesin”, thuhej në njoftimin e VLEN-it.
Pas diskutimeve “të thelluara”, u tha se Trupi Koordinues i VLEN-it arriti në “këto dy konkluzione të rëndësishme”.
“Trupi Koordinues i VLEN-it e vlerëson interpelancën ndaj kryetarit të Kuvendit si një eksperiment politik të pakuptimtë dhe një përpjekje për destabilizim. Ne shprehim mbështetje të parezervë dhe unanime për kryetarin Afrim Gashi, duke theksuar se kjo interpelancë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Kjo është një iniciativë e parashtruar nga partia anti-NATO, “LEVICA”, me mbështetje të hapur nga LSDM dhe të fshehur nga BDI, të cilat në fakt po testojnë një koalicion opozitar të zgjeruar në dëm të interesave strategjike”, thuhej në njoftim.
Interpelancën për Gashin e kanë dorëzuar deputetët e Partisë e Majta, pas incidentit me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit që ndodhi më 1 gusht.
Asokohe largimin e Gashit e kishte kërkuar edhe LSDM-ja opozitare, duke thënë se ai është përgjegjës për incidentin. Ata kërkuan që përgjegjësi nga Gashi të kërkojë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili nga ana e tij u përgjigj se nuk do të mbështesë një interpelancë të Gashit.
Në kërkesën për interpelancë të dorëzuar nga E Majta, thuhet se kryeparlamentari Gashi që nga fillimi i emërimit të tij ka punuar në mënyrë arbitrare, joprofesionale, të pamatur dhe joprofesionale dhe mbi të gjitha në mënyrë të kundërligjshme, antikushtetuese dhe joprofesionale.