TV LIVE
Nga Bota
2 September 2024
Netanyahu nën akuzë: Del audio-përgjimi për pengjet në Gaza!

“Edhe mua më kanë torturuar. Më kanë rrahur, pata dhimbje të mëdha, por e kapërceva”. Pengjet izraelitë të liruar nga robëria në Gaza, por që ende përballen me ankthin e tronditjen e thellë psikologjike, kishin shpresuar të gjenin mirëkuptimin e kryeministrit të tyre.

Por një regjistrim audio i Benjamin Netanyahut, ua ka shtuar dhimbjen. Regjistrimi i publikuar nga mediat vendase, tregon distancimin e ftohtë të tij, që kujton abuzimet gjatë një rrëmbimi dhe sesi e gjeti vetë forcën ta kapërcente atë situatë.

Ndërkohë e shoqja Sara ankohej që kishte pasur një jetë mjaft normale deri në momentin që u martua me kryeministrin më jetëgjatë në këtë post në historinë e shtetit hebre. Një nga gratë e marra peng nga militantët e Hamasit u lirua në nëntor iu përgjigj duke thënë “se edhe ajo kishte pasur një jetë normale deri në momentin që u rrëmbye”.

Mijëra izraelitë dolën gjatë fundjavës në rrugët e vendit për të shprehur keqardhjen dhe zemërimin e tyre pas gjetjes së trupave të 6 pengjeve në Gazë. Ata thërrisnin “ Tani tani” ndërsa i kërkonin Kryeministrit Netanyahu të arrijë një marrëveshje armëpushimi në mënyrë që pengjet e mbetur në Gazë, të kthehen të gjallë në shtëpitë e tyre.

Protestat po shënojnë një nga thirrjet më të forta deri tani për kryeministrin izraelit, që të nënshkruajë një armëpushim. Sindikata më e madhe e Izraelit, Hisdraut ka thirrur sot një grevë të përgjithshme, duke shtuar më tej trysninë ndaj qeverisë.

Greva pritet të prekë sektorët kryesorë të ekonomisë, përfshirë bankat, spitalet dhe aeroportin kryesor të vendit. Kjo do të ishte greva e parë e përgjithshme që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor.



Të ndryshme
Më shumë