Kompania amerikano-norvegjeze e robotikës, 1X, ka bërë publik prototipin e një roboti humanoid, i cili është i aftë të imitojë në mënyrë thuajse të përsosur lëvizjet e muskujve të trupit njerëzor.
Roboti i quajtur NEO përbën një arritje në fushën e robotikës dhe teknologjisë, pasi kapërcen lëvizjet e ngurta të prototipeve të ngjashme të ndërtuara më parë, duke iu afruar kështu më tepër anatomisë së njeriut.
Krijuesit e këtij roboti shprehen se NEO është në gjendje të realizojë një sërë detyrash, por shkëlqen sidomos në sektorë si siguria, logjistika dhe prodhimi. Ata po studiojnë gjithashtu edhe mundësitë se si ky robot mund t’iu vijë në ndihmë personave me aftësi të kufizuara të lëvizjes.
I pajisur me inteligjencë artificiale, NEO do të jetë i aftë të kuptojë më mirë ambientin rreth tij, si edhe do të mund të mësojë nga ndërveprimet me njerëzit dhe mjedisin, duke u përmirësuar në vazhdimësi.