TV LIVE
Sport
31 August 2024
Nedim Bajrami transferohet te gjigantët skocezë, largohet nga Italia. Detajet e marrëveshjes

Një operacion në hyrje dhe tri operacione në dalje. Ky është bilanci përfundimtar i negociatave të Sassuolos, në ditën e fundit të merkatos së verës. Klubi i Serie A zyrtarizoi ardhjen e Nicholas Pierini dhe në minutat e fundit të afatit kalimtar gjeti zgjidhjen e duhur edhe për kalimin e Nedim Bajramit te Glasgow Rangers.

Pra, mesfushori fantazist shqiptar do të shkojë të luajë në Skoci. Marrëveshja është arritur në bazë të një transferimi të përhershëm për 4 milionë euro. Lojtari shqiptar, i ardhur një vit e gjysmë më parë, largohet nga Sassuolo pas 50 paraqitjeve dhe 4 golave ​​të shënuar mes kampionatit e Kupës së Italisë.

Me jehonë të madhe është pritur ky përforcim te klubi i njohur skocez. Ja çfarë shkruhet në faqen zyrtare të Rangers në internet: “RANGERS ndihet i emocionuar të njoftojë nënshkrimin e Nedim Bajramit nga klubi italian i Sassuolos në baza të përhershme, subjekt i lejes ndërkombëtare, përkundrejt një tarife të pazbuluar.

Mesfushori 25-vjeçar ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me skuadrën e Philippe Clement dhe bëhet përforcimi i 11-të i merkatos së verës. Bajrami bëri histori kësaj vere, kur shënoi golin më të shpejtë ndonjëherë në historinë e finaleve të Kampionatit Evropian. Ai e gjeti rrugën e rrjetës pas 23 sekondash kundër Italisë.

‘Playmakeri’ e filloi karrierën e tij me skuadrën zvicerane të Grasshoppers, përpara se të transferohej tek Empoli në huazim, më 2019. Ai më pas e bëri transferimin e përhershëm tek Empoli, përpara se të bashkohej me Sassuolon në janar 2023.



Të ndryshme
Më shumë