TV LIVE
Nga Bota
28 August 2024
Presidenti palestinez diskuton me princin saudit mbi përpjekjet për armëpushim në Gaza

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas diskutoi me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, përpjekjet për armëpushim në Gaza, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, Abbas u takua me Bin Salman në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad.

Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit në territoret e pushtuara palestineze si dhe u bisedua mbi përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare që janë bërë për të ndalur sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.

Në takimin e tij me Bin Salmanin, Abbas tërhoqi vëmendjen për rrezikun e deklaratave dhe praktikave provokuese të autoriteteve izraelite në lidhje me vendet e shenjta të muslimanëve dhe të krishterëve në Palestinë dhe paralajmëroi veçanërisht për deklaratën e ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, për të ndërtuar një sinagogë në xhaminë Al-Aksa, duke thënë se deklarata e ministrit izraelit është e rrezikshme.

Abbas informoi Bin Salmanin për përpjekjen e tij për të shkuar së bashku me zyrtarët e tjerë në administratën palestineze, në Rripin e Gazës e cila ndodhet nën sulmet izraelite. Po ashtu Abbas nënvizoi se kjo nismë jo vetëm që do të ndalonte luftën izraelite në Gaza, por edhe do të përcillte mesazhin se ata si shtet palestinez kanë autoritetin për të sunduar Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Edhe Bin Salman duke tërhequr vëmendjen se qëndrimi i Arabisë Saudite në mbështetjen e çështjes palestineze nuk ka ndryshuar, theksoi se në Rripin e Gazës duhet të arrihet armëpushim i menjëhershëm.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes më 15 gusht, presidenti palestinez Abbas tha se ai ka vendosur të shkojë në Rripin e Gazës dhe theksoi se "Para nesh nuk ka mbetur asnjë rrugëzgjidhje. Për këtë arsye, unë dhe të gjithë anëtarët e administratës palestineze kemi vendosur të shkojmë në Gaza, ne e bëjmë këtë".

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 e deri më tani janë vrarë 40.435 palestinezë, përfshirë të paktën 16.589 fëmijë dhe 10.980 gra ndërsa janë plagosur 93.534 të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata.



Të ndryshme
Më shumë