TV LIVE
Nga Bota
27 August 2024
Shkëmbimi i zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut, gjenerali i lartë i forcës ajrore amerikane: Rreziku i një lufte të madhe në Lindje të Mesme besohet se është shmangur

Rreziku afatshkurtër i një lufte të madhe në Lindje të Mesme disi është shmangur, pas shkëmbimit të zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut të Libanit, pa ndonjë përshkallëzim të madh, ndonëse Irani vazhdon të përbëjë rrezik teksa synon sulm ndaj Izraelit, ka thënë gjenerali i lartë i forcës ajrore amerikane, Charles Quinton Brown.

 

Brown ka folur për agjencinë e lajmeve Reuters, pas përfundimit të një vizite treditëshe në Lindje të Mesme, përfshirë edhe një vizitë në Izrael, vetëm disa orë pasi Hezbollahu ka nisur qindra raketa dhe dronë kundrejt Izraelit.

Izraeli, në anën tjetër, ka nisur sulme kundër Hezbollahut, për siç ka thënë, parandalim të sulmeve.

Ky incident përbën njërën prej përplasjeve më të mëdha në 10 muajt e fundit mes dy palëve, ndonëse ka marrë fund me dëm të kufizuar në Izrael dhe pa ndonjë kërcënim të madh për hakmarrje më të madhe.

Brown ka thënë se sulmet e Hezbollahut përbëjnë vetëm një prej dy sulmeve të mëdha kërcënuese kundër Izraelit në javët e fundit.

Irani ka kërcënuar muajin e kaluar se do ta sulmojë Izraelin, pas vrasjes së liderit politik të Hamasit në Teheran, javë më parë.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

I pyetur nëse është shmangur rreziku afatshkurtër për ndonjë luftë rajonale, Brown ka thënë se “disi po”.

“Kanë qenë dy gjëra që pritej të ndodhnin. Njëra veçse ka ndodhur. Tani varet se si do të ndodhë e dyta”, ka thënë Brown.

“Përgjigja e Iranit do të diktojë përgjigjen e Izraelit, dhe kështu do të kuptohet nëse do të ketë konflikt të gjerë apo jo”.

Brown ka tërhequr vërejtjen që rrezik mund të ketë ende prej aleatëve militantë të Iranit në vendet si Iraku, Siria dhe Jordania, të cilët i kanë sulmuar trupat amerikane, por edhe prej rebelëve Huthi të Jemenit, që kanë shënjestruar anijet në Detin e Kuq, dhe kanë nisur sulme me dronë drejt Izraelit.

“Ka rrezik që palët tjera të veprojnë kokë më vete, sepse nuk janë të kënaqura – posaçërisht huthët”, ka thënë Brown, duke e përshkruar këtë grup shiit si “kartë të egër”.

Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili është vrarë gjatë një vizite në Teheran, muajin e kaluar.

Irani e ka fajësuar Izraelin për kryerje të vrasjes. Vetë Izraeli, as nuk e ka konfirmuar, dhe as mohuar përfshirjen në vrasjen e Haniyehut.

Brown ka thënë se ushtria amerikane është e pozicionuar më mirë për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit dhe forcave të veta në Lindje të Mesme, në krahasim me 13 prillin, kur Irani pati nisur sulm të pashembullt ndaj Izraelit, duke lëshuar qindra dronë, raketa lundruese dhe raketa balistike.

Megjithatë, Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe aleatë tjerë kanë arritur t’i shkatërrojnë pothuajse të gjitha armët, para se të arrinin shënjestrat.

“Jemi në pozicion më të mirë”, ka thënë Brown, duke përmendur vendimin amerikan për pozicionim të dy grupeve të aeroplanëve luftarakë në Lindje të Mesme, si dhe aeroplanë shtesë luftarakë të tipit, F-22.

“Po tentojmë të përmirësohemi në krahasim me situatën e prillit”.

Brown ka thënë se pavarësisht planeve që mund të ketë ushtria iraniane, vendimin e marrin liderët politikë atje.

“Ata duan të bëjnë diçka për të dërguar një mesazh, por ata nuk dëshirojnë të bëjnë diçka që nxit konflikt më të madh”.

Pasojat e luftës në Gazë

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është duke bërë përpjekje që të zbusë ndikimin e luftës në Gazë, mes Izraelit dhe Hamasit, që tashmë ka hyrë në muajin e 11-të.

Si pasojë e konfliktit janë vrarë mbi 40.000 palestinezë në Gazë, janë rritur tensionet ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbollahut, si dhe huthëve të Jemenit.

Brown ka udhëtuar të hënën në Komandën Veriore të ushtrisë izraelite, ku është informuar për kërcënimet përgjatë kufijve të Izraelit me Libanin dhe Sirinë.

Ai është takuar në Tel Aviv me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjeneralin Herzi Halevi.

I pyetur për kapacitetet ushtarake të Hezbollahut, sidomos pas sulmeve të Izraelit, Brown ka thënë se “ata kanë kapacitete ende”.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor të vitit 2023, si hakmarrje e Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit në tokën izraelite, pasi militantët kanë vrarë 1.200 njerëz dhe kanë marrë peng rreth 240 tjerë.

Përveç 40.000 të vrarëve, konflikti ka shkatërruar Gazën, dhe tani raportohet edhe për përhapje të shumta të sëmundjeve./rel



Të ndryshme
Më shumë