Ish-ushtaraku i lartë, Hetem Halili, lindi në Senican të Përmetit, me 15.07.1934. Që i mitur mbeti jetim. Shkollën 7-vjeçare, e kreu në Elbasan. Pastaj vazhdoi shkollën “Skënderbej” dhe në vitin 1954, përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Fillimisht shërbeu si oficer në Kavajë, kurse në vitet 1955-1960, ishte oficer në ishullin e Sazan. Në vitet 1960-1968, ishte në funksionin e përgjegjësit të Rinisë në Bazën Ushtarake Detare Vlorë. Në vitet 1968-1969, shërbeu në Fier dhe Lushnje, në funksionet e zëvendës komisarit të Brigadës.
Në vitet, 1969-1974, ishte Inspektor i Përgjithshëm në Drejtorinë Politike të Ushtrisë pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, kurse në vitet, 1974-1976, shërbeu në detyrën e komisarit të Brigadës së Parë Sulmuese në Tiranë. Në periudhën, 1976-1978, kreu Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë, kurse në vitet 1978-1983, ishte me detyrë zv/sekretar dhe komisar i Korpusit të Burrelit. Në vitet 1983-1989, shërbeu si komisar i Divizionit të Librazhdit. Ai gjithashtu ka kryer dhe Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar për Histori-Gjeografi, si dhe kursin e lartë të Filozofisë pranë Shkollës së Lartë ka qenë Anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ai u nda nga jeta në Tiranë, më 21 korrik të vitit 2021, në moshën 87 vjeçare.
Zoti Halili, ju jeni ndër dëshmitarët e paktë të gjallë që keni dëshmuar në gjyqin kundër Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, të akuzuar e pushkatuar si tradhtarë?
-Po. Unë kam dëshmuar në këtë gjyq, duke dhënë e dëshmitë të asaj kohe. Unë në atë kohë (viti 1974), kam qenë inspektor në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Ajo ishte një drejtori e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, si të gjitha drejtoritë e tjera. Varej nga Komiteti Qendror dhe ministri, nga të cilët merrte porosi dhe jepte llogari para tyre.
Koha, funksioni dhe detyra juaj në Drejtorinë Politike të Ushtrisë?
-Jam emëruar në këtë institucion, në prill të vitit 1970 dhe jam larguar, në dhjetor të vitit 1974…! Drejtor ishte Hito Çako, zëvendës ishin; Ziqiri Mero, për Sektorin e Përgjithshëm dhe Ilo Prifti, për edukimin. Unë kryeja detyrën si instruktor i Përgjithshëm në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Për informacionet që shkonin lart në Komitetin Qendror, ishte një porosi e posaçme: Të mos ishin më shumë se tre faqe…! Kujdesi ishte që mos e lodhnim shokun Enver. Porosinë e dha Hito Çako, por ishte e drejtuesve të lartë të Komitetit Qendror, pra e udhëheqësve të kohës…!
Keni punuar 4-5 vjet me Hito Çakon. Ç’mendim keni për atë, si eprori juaj?
-Mendimi im është pozitiv. Ishte njeri punëtor, i përgatitur nga ana ushtarake, ishte i zgjuar, tregonte kujdes për njerëzit, por ishte harbut nga goja…! Nuk ishte për punëtor partie…! Ishte ushtarak i aftë…! Duke qenë i tillë, ai pak a shumë, futi një frymë komandimi në parti, gjë e cila binte në sy…!
Hito Çako, ishte një nga drejtuesit e ushtrisë, i akuzuar si pjesëtar i “Grupit armiqësor”, e si i tillë, gjykimi partiak u bë tek ju. Kur u dënua ai, çfarë thatë ju?
-Diçka, filloi më parë…! Që në vitin 1971, u dënua një organizatë partie, si “antiparti”. Ishte në sektorin e Autotraktorëve. Erdhi ekip nga Komisioni Qendror i Partisë…! Merreshin me thashetheme, u përpoqën të fusnin në konflikt, ministrin e Mbrojtjes Beqir Ballukum me Shefin e Shtabit të përgjithshëm, Petrit Dumen.
Pra, ku fillon lufta ndaj “Gjeneralëve” dhe nga mori shkas ky sulm?
-Fillon në Plenumin e 12 të Komitetit Qendror të PPSh-së, në periudhën kohore 1971-1972, pas fjalimit të Enver Hoxhës; “Atdheu është i të gjithëve e, duhet të mbrohet nga të gjithë”.
Kishte informacion Enver Hoxha nga ju, pra nga Drejtoria Politike?
-Po kishte. Dhe vuri detyra konkrete…!
Pra, që këtej nis sherri në krerët e Ministrisë së Mbrojtjes?
-Sigurisht që po. Në zbatim të detyrave të Plenumit, ministri Beqir Balluku, u ngarkua të bënte materialin…! Ai ngarkoi Spiro Shalësin, Ernest Jakovën, etj. Punoi për gati dy vjet, por nuk po nxirrnin gjë në dritë…!
Është thënë që; gjithçka që priu goditjen e gjeneralëve, nisi në Drejtorinë Politike të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore?
-Në mars të vitit 1973, Drejtoria Politike, i bëri një raport Komitetit Qendror, ku ngrinte probleme të mos funksionimit të drejtorive e, sektorëve të ndryshëm në ushtri, që sipas saj, ishin të shumtë e, ishte vështirë të koordinohej puna…! Dhe bënte propozime përkatëse, për masa e ndryshime…! Materialin e bënë Halim Ramohito dhe Hito Çako, por e mbajtën tepër sekret…! Ja çuan Enverit dhe ai e ktheu, bashkë me shënimet e detyrat përkatëse…!
Çfarë përmbanin shënimet e Enver Hoxhës për këtë material?
-Esencialen. Ai, pra Enveri, thoshte: “Nuk janë çështje organizative, por më thellë”. Dhe i vë detyrë Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos: “Thërrisni të tre, Beqirin, Hiton dhe Petritin, shikoni situatën dhe zgjidheni…”! U diskutua, u mendua se u arrit në konkluzionin e nevojshëm, dhe në fund, kur ishin gati duke dale nga takimi, Petrit Dume thotë: “Ne kemi mosmarrëveshje parimore me Ministrin…”! Materiali u kthye përsëri. Alarm. Morën materialin, që më pas u quajtën; “Materialet e Zeza”.
Diçka më konkrete, për konfliktin mes gjeneralëve?
-Këtu, të gjithë punën, e drejtuan Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Kur u diskutua ky problem, për Beqir Ballukun, në organizatën e Partisë të Drejtorisë Politike të Ushtrisë, erdhi i deleguar Ramiz Alia. Unë isha prezent. Duhet thënë se grupi që bëri materialin, u quajtën; “kalemxhinj”, nga udhëheqja…! Përkatësisht, kalemxhinj u quajtën Spiro Shalësi dhe Ernest Jakova…!
Ku ishte Hito Çako në këtë kohë?
-Ishte bërë zëvendësministër i Mbrojtjes, në vend të tij kishte ardhur Dilaver Poçi. Hito u kritikua. Ramiz Alia, bëri një vërejtje esenciale. Mori revistën “10 korriku” e tha; “Ja si e bëni propagandën”. Intervistoheshin vetëm gjeneralët…! Fotografitë e tyre të mëdha, një faqe, e para, një, e dyta, një e treta…! Fotografitë e tjera, ishin mikroskopike…! Ramizi tha: “Kjo nuk është propagandë! Më të mëdhenj se Enver Hoxha e Mehmet Shehu, jeni ju gjeneralët e ushtrisë”!? Këtu mori kthesë analiza, ri-analizat, që çuan në përcaktimin e “Grupit armiqësor në ushtri”…!
Çfarë problemesh të tjera ngritën në këto analiza?
-Për librat e përkthyer nga rusishtja. Ishin përkthyer tre libra. I pari ishte libri; “Psikologjia dhe Ushtari”, i kolonelit anglez Coople. I dyti ishte një libër për shqiptarët, por në vend të heronjve të Bashkimit Sovjetik, ishin vënë emrat e shqiptarëve, kopje…! Dhe një përkthim për rininë, për Komsomolin, i cili vetëm u përkthye, por nuk u shpërnda…! Këto libra, i botoi Hito Çtako. E vërteta është se këto libra që po anatemoheshin, Hito ua dërgoi Enverit, Mehmetit, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë…! Por ata, si në heshtje, thanë që; “ne i kemi lexuar, por nuk e dinim që janë të përkthyer”.
Çfarë tha tjetër për librat Ramiz Alia?
-Po. Të ngrihet një grup pune, t’i studiojë, t’i analizojë, të informohet Komiteti Qendror dhe të merren masa…! Kjo e thelloi dhe solli përçarjen e gjeneralëve…! Në shtator, në fjalimin që mbajti Enver Hoxha, e quajti Hito Çakon; “Revizionist i gjallë dhe recitivist”…! U bënë diskutime në gjithë ushtrinë…!
Cila ishte karakteristikë në këto analiza që çuan në dënimin e pushkatimin e gjeneralëve?
-Është fakt i dhimbshëm. Ushtarakët sulmuan njëri-tjetrin, me shpresën për të mbajtur vetë, sa më pak përgjegjësi…! Por dihet, kjo nuk funksionoi…! Pas analizave që u bënë për Beqir Ballukun e grupin e tij të vogël, ku dolën një sërë problemesh, Enver Hoxha, mbajti një fjalim. Kështu, Për Petrit Dumen, Enveri tha: “Ti, Petrit Dume e ke dashur ushtrinë, por e ke dashur siç e doje ti, jo siç e donte partia”, Për Hito Çakon tha: “Ti je revizionist i gjallë dhe recidivist”! …Në fakt, pak kush e mendonte përshpejtimin e ngjarjeve në këtë mënyrë…! U shkua në analiza shumë larg në kohë, Hito Çakon e akuzuan, se më 1947-ën dhe 1948-ën, ka qenë në krahun e Koçi Xoxes…!
Si reagoi Hito Çako, për këto akuza që u ngritën në plenum?
-Ai u vu në vështirësi. Ju kthyen të gjithë dhe i kërkuan: “Pse nuk i ke thënë këto, pse ja ke shprehur Partisë…”?! Ndërsa furtuna më e madhe, do të shpërthente në aktivet e Partisë që u mbajtën në Durrës…! Në të morën pjesë 7 anëtarë të Byrosë Politike, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, etj…!
Ishit ju në aktivin e Durrësit dhe çfarë do veçoni nga ai aktiv?
-Po. Ushtarakët e lartë u turrën kundër njëri tjetrit. Bie fjala, Muhamet Prodani, i tha Petrit Dumes: “Unë edhe sot nuk e marr vesh, nëse ti Petrit, ke qenë me Tezat e Artit Ushtarak Popullor, apo me ‘Teorinë e rrëshqitje’”?!… Vetë Hito Çako, pasi bëri autokritikë, i thotë Hysni Kapos: “Për këtë çështje, unë kam biseduar me ju, ju e dini këtë problem”! Hysni Kapo mori mikrofonin dhe tha: “Ti ke ardhur, ke paraqitur diçka, por nuk e kemi sqaruar”…! Këtu tensionohet situata…! Ndërhyn menjëherë dhe ashpër Mehmet Shehu…!
Cila ishte ndërhyrja e Mehmet Shehut?
-Mehmet Shehu rrëmbeu mikrofonin dhe tha: “Ti Hito Çako, mos u mundo të shmangesh, të përziesh dhe të tjerët në këtë veprimtari që mban erë të keqe kundër Partisë, Ushtrisë e interesave të vendit…”! Analiza vazhdoi me akuza e kundër-akuza të ndërsjellat. Madje, mua më bëri përshtypje se për Hito Çakon flisnin më shumë e më me pasion, ata njerëz që ai kishte pasur më afër, i kishte ndihmuar dhe njiheshin me njëri-tjetrin…! M’u krijua përshtypja se për të shpëtuar veten, këta po ja fusnin njëri-tjetrit…! Ndonëse materialet i kishin lexuar një pjesë e mirë e tyre….! Në këtë analizë, diskutoi dhe gjeneral Dilaver Poçi…! Bile disave, u ra të fikët…!
Përballë akuzave, kush reagoi më me dinjitet nga gjeneralët e akuzuar?
-Më mirë diskutoi Halim Ramohito, këtë diskutim të tij, e evidentoi dhe Mehmet Shehu. Pas Durrësit, analiza vazhdoi në gjithë korpuset e vendit…! Mbaj mend se një çështje e diskutuar, ishte ndasia në marrëdhëniet midis komiteteve të Partisë në Ushtri, me Komitetet e Partisë së rretheve…!
Cili ishte rezultati i këtyre analizave?
-Thashë më lart se Beqir Balluku, ishte arrestuar, por ende nuk ishte përcaktuar plotësisht “Grupi Puçist” në Ushtri. Në përfundim të analizave, u vendos nga Komiteti Qendror, që komisarët e Korpuseve, të ishin dhe anëtarët të Komitetit të Partisë të rretheve, si dhe një nga sekretarët e Komiteteve të Partisë së rrethit, të ishte anëtar i Komitetit të Partisë së Korpusit në ushtri…! Tjetër masë, ishte marrja masive e kuadrove nga rrethi, me, e pa arsim, në forumet e Partisë në Ushtri.
Ku shkuan konkluzionet e analizave në shkallë vendi?
-Dërgoheshin tek ne në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Aty përmblidheshin dhe u dërgoheshin Komitetit Qendror të PPSH…! Me këtë punë, merrej direkt Sektori Ushtarak që drejtohej nga Gafur Çuçi, e që varej nga Hysniu Kapo…!
Për çfarë e akuzuan kolegët dhe udhëheqja Hito Çakon?
-Hito Çako, u kritikua sikur donte të rrethonte e asgjësonte komitetet e Partisë, por në fakt, “rrethimi i Hitos”, kishte të bënte me atë që në rast agresioni, forcat e vendosura të siguronin jetën e komiteteve të partisë, deri dhe në zhvendosjen e tyre, në rast agresioni…! Dikush e kritikoi: “Ti Hito Çako, ke mbajtur në ushtri, oficerë që qenë martuar me gratë ruse”?
Cili ishte reagimi i Hito Çakos?
-Hito reagoi menjëherë. Ai tha: “Nuk ka pasur orientim që t’i hiqnim, nuk mund të ndërmerrnim veprime me kokën tonë, pa direktivë të Partisë”. Pasi reagoi Hito, kritikuesi Pepe Kantozi, hebre, oficer në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, ngeli për një moment. Pastaj tha: “Unë kështu e mendoj”! Dhe Hito ia ktheu: “Po e mendon kështu ti o çifut, unë le ta ha dhe për këtë, se kam të tjera më të mëdha për ta ngrënë, e se kjo nuk ngre peshë…”!
Përse Enver Hoxha tha se; “Është krijuar një komitet Qendror i Partisë, në Ushtri”?
-Më parë pohova, se në Ushtri, ishin gjashtë anëtarë të Komitetit Qendror të PPSh-së. Kjo se problemet që kishte Ushtria, diskutoheshin një herë me këta gjashtë anëtarë, pastaj shkonin në Komitetin Qendror. Anëtarët e Komitetit Qendror në Ushtri, ishin Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Sadik Begteshi, Halim Ramohito e Dilaver Poçi…! Memorie.al