TV LIVE
Nga Vendi
19 August 2024
Harxhimet në Maqedoninë e Veriut më të larta se pagat

Në pikën e vapës edhe çmimet e ndryshme në Maqedoni janë tejet të larta. Të dhënat e fundit statistikore tregojnë një rritje të re të kostos së jetesës në Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu ndikon në inflacionin. Gjithashtu harxhimet e jetesës sipas shportës konsumatore në gjashtë muajt e kaluar janë rritur për 4000 denarë, ndërsa pagat janë rritur me 1250 denarë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, neto paga mesatare mujore e paguar për të punësuar në maj të këtij viti është 41.252 denarë karshi pagës mesatare në dhjetor me vlerën prej 39.998 denarë.Nga ana tjetër, në kulmin e verës çmimet e restoranteve dhe hoteleve, kostot e larta të transportit, kujdesit mjekësor dhe strehimit vetëm sa e mbajnë inflacionin të lartë. Kostoja e jetesës në korrik të këtij viti, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, është rritur për 3 për qind dhe çmimet e shitjes me pakicë për 3.9 për qind, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Inflacioni i matur me indeksin e kostos së jetesës në korrik krahasuar me qershorin 2024 është 0.7 për qind. Çmimet me pakicë, nga ana tjetër, në korrik krahasuar me muajin paraprak shënuan rritje prej 1.5 për qind.

Indeksi i çmimeve tregon rritje në korrik karshi qershorit me 0.9 për qind për ushqimin, me 2.3 për qind për veshmbathjet dhe këpucët, me afër 6 për qind për mbrojtjen shëndetësore, transportin me 4.8 për qind, restorantet dhe hotelet me afër 14 për qind.Shtrenjtimin e jetesës e tregojnë edhe të dhënat krahasuese të shportës sindikale për gjashtë muajt e kaluar.

Në muajin korrik vlera e shportës ishte 60.570 denarë, që është për 4000 denarë në raport me vlerën e shportës që ishte 56 522 denarë në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Për 130 denarë janë rritur edhe harxhimet e transportit, për afër 1000 denarë janë shtrenjtuar restorantet dhe kafeteritë, ndërsa për afër 700 denarë janë rritur harxhimet e komunikimit në gjashtë muaj.Si zakonisht, më së shumti para nevojiten për ushqim, për të cilin në korrik 2024 për nevojat elementare ushqimore janë nevojitur 22.008 denarë që për bën gati një të tretën e vlerës së shportës. Edhe harxhimet e ushqimeve bazë janë shtrenjtuar për afër 1400 denarë në periudhën e kaluar gjashtë mujore.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, neto paga mesatare mujore e paguar për të punësuar në majt të këtij viti është 41 252 denarë dhe është për 1250 denarë më shumë se paga në dhjetor me vlerën prej 39 998 denarë.

Mirëpo, në fakt paga mesatare është larg pagës mediale që e marrin shumica e të punësuarve që me mjaft vështirësi kapërcejnë muajin dhe hendekun midis harxhimeve mujore dhe të ardhurave.Një pjesë e ekonomistëve me vite kërkojnë që statistikat shtetërore të llogarisin përskaj pagës mesatare edhe të ashtuquajturën pagë “mediale” që merr parasysh jo vetëm të ardhurat e punëtorëve, por edhe përqindjen e punonjësve që marrin një shumë të caktuar. Vlerësohet se paga mesatare nuk pasqyron realisht standardin jetësor dhe të ardhurat reale të çdo punonjësi, andaj sugjerohet që të shikohet se cila është ajo pagë qe merr punonjësi ku 50 për qind marrin më pak dhe 50 për qind marrin më shumë.

Sa për ilustrim apo shembull, paga mesatare neto e personave juridikë në Kroaci për muajin mars ishte 1326 euro. Sipas raportit të statistikave, paga mediale neto për një punonjës ishte 1086 euro, që do të thotë se gjysma e të punësuarve kishin më pak, ndërsa gjysma tjetër më shumë se kaq. /Koha



Të ndryshme
Më shumë