TV LIVE
Nga Vendi
19 August 2024
Përçarësit mendojnë se të gjithë përçahen

OPINION Nga: Arben Zeqiri

 

"Gati janë, u përçanë...", "Ziadini do të del...", "Ju të ASH nuk do të qëndroni gjatë...", "Fronti do të ndahet", "Nuk i keni tre deputetë...". Të gjitha këto deklarata, si një kakofoni e lodhshme, po na ndjekin që nga formimi i Qeverisë jolegjitime, nga partitë që vetë u servilosën dhe mendojnë se edhe të tjerët servilosen si ata. Është normale, ata servilizmin duan ta shohin tek të tjerët që ta ngushllojnë dhe inkurajojnë veten, sepse po ta pranojnë si gabim, atëherë nuk do ta bënin. Kur i dëgjoni teksa flasin për përçarje tek Fronti, mos mendoni se e bëjnë për propagandë, ose bllef. Sinqerìsht, ata nuk kanë aq kapacitet për të sajuar propaganda të tilla. Nuk e kanë as edhe në bazë të ndonjë informacioni. Ata të vLEN-it, vërtetë besojnë se Fronti Europian do të përçahet, sepse nisur nga përvoja e tyre, ata nuk mund ta besojnë se ka të tjerë që mund të jenë në opozitë, por të mos servilosen, të mos përçahen e të mos tradhëtojnë. Ata nuk mund ta besojnë diçka që s'mund ta bëjnë vetë, por duan të besojnë se të gjithë bëjnë ashtu siç bënë ata.

Ju kujtohet, ishte në fillim Lëvizja Besa, partia që nuk kishte kapacitete koalicionimi, por vetëm ego dhe dëshirë për pushtet. Në vitin 2017 kur nuk u bë pjesë e Qeverisë, ju hyri flaka për pushtet të brendshëm në parti. Zeqirja Ibrahimi që sot pas 7 vitesh realizoi ëndërrën për tu bërë kryetar, asokohe filloi betejën ndaj Bilall Kasamit dhe solli deri te përçarja e subjektit të tyre dhe lindën dy parti. Ata që sot duhen, atëherë hynin e bastisnin zyrat, shanin e ofendonin, duke shkuar deri në akuza për tradhëti. Pasi u përçanë, këta të Alternativës, nuk mundën të qëndrojnë gjatë në opozitë. Këtu është dhe dallimi i parë mes tyre dhe Aleancës për Shqiptarët. Aleanca për Shqiptarët u bë pjesë e shumicës që rrëzoi regjimin e Gruevskit dhe solli kryeparlamentarin e parë shqiptarë, ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, njohjen e Kosovës në Kushtetutë dhe heqjen e termit "me banin të përkohshëm" për shqiptarët dhe bashkësitë e tjera. Duke qenë në Qeveri, ASH për të sjellë ndryshime (që sot trembetojnë përçarësit), në zgjedhjet lokale 2021 mbështeti kandidatët e opozitës shqiptare në çdo komunë, ndërsa si kthim prej tyre, mori mbështetje vetëm në Gostivar, por jo edhe në Strugë dhe komunat e tjera. Çfarë "rastësie", që atëherë për Besën dhe Alternativën, i pëlqyeshëm ishte vetëm Arben Taravari. Nga ky veprim i ASH, që duke qenë në pushtet, mbështeti opozitën në zgjedhje lokale, kryeministri Zoran Zaev, paralajmëroi se do ta merr Ministrinë e Shëndetësisë, meqë Taravari u zgjodh kryetar i Gostivarit. Çfarë rastësie edhe këtu, vetëm Taravari ishte i pranueshëm për Zaevin në Shëndetësi? Për çëshje të pastërta parimore, krenari dhe mosgjunjëzim, kryetari Ziadin Sela i propozoi organeve të partisë daljen nga Qeveria dhe ky vendim u soll unanimisht. Asnjë drejtor apo funksionar tjetër, nuk u hamend, nuk u shit dhe nuk u lëkund, të gjithë lanë postet dhe me dinjitet e guxim, dolën në opozitë. E normalisht, të parët që ishin lodhur në opozitë dhe bënë tur për në pushtet ishin Alternativa, me shpresë se nga Qeveria do t'ia merrnin Bilall Kasamit partinë dhe anëtarët. Në zgjedhjet presidenciale 2019, Aleanca për Shqiptarët, përsëri tregoi kapacitete koalicionuese dhe u bë bashkë me Lëvizjen Besa në mbështetje të kandidatit Blerim Reka, për të filluar një frymë të re të ndryshimit real te shqiptarët. Morën një rekord votash për opozitën shqiptare ndonjëherë. Por, ashtu siç edhe janë ata, Lëvizja Besa, me logjikën e sotshme dhe atëhershme, nuk do të qëndronte gjatë në opozitë dhe në këtë betejë. Ata për të qenë pjesë e pushtetit, në vitin 2020 hyjnë në koalicion parazgjedhor dhe lista të përbashkëta me LSDM-në dhe koalicionin MOZEME. E bënë përçarjen për të cilën flasin sot dhe shitën opozitarizmin. Por meqë dihej botërisht se pjesë e marrëveshjes ishte edhe largimi i Alternativës nga Qeveria, e këta të fundit e dinin këtë, filluan t'i vardisen opozitarizmit. Kryetari i ASH, Ziadin Sela dhe zyrtarët e tjerë, nuk ishin naivë. Ata e dinin se Alternativa e bën këtë për interes, se nuk kanë kapacitete për beteja maratonike. Por për hirë të vullnetit për ndryshim, pranuan koalicion me Alternativën, madje duke tentuar që ta rikthejnë edhe Besën, por ishte e kotë. As njëra e as tjetra nuk donin ndryshim e bashkim, por përçarje e t'i hanë kokën njëra-tjetrës. Ata në fakt donin vetëm një copëz pushtet, njëra përmes LSDM-së, e tjetra duke u përvjedhur përskaj rejtingut të lartë të Aleancës për Shqiptarët. Kjo u dëshmua më pas shumë saktë. Lëvizja Besa në zgjedhjet e vitit 2020 mori numrin më të vogël të votave në njësinë e 6 dhe vendbanimet e tjera shqiptare ku kishte kandidat, që konfirmoi se votat e zgjedhjeve presidenciale ishin të ASH dhe kandidatit Bleril Reka. Mirë e kishin matur që s'kanë peshë andaj aq lehtë ishin servilosur pas LSDM-së. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, Aleanca për Shqiptarët pranoi edhe një koalicion me Alternativën, ndërsa në rrethin e dytë, në emër të ndryshimit dha mbështetje bllanko edhe për kandidatët e Lëvizjes Besa dhe falë kësaj mbështetje Bilall Kasami fitoi Tetovën. Njëjtë si në 2017 edhe në 2021, Alternativa dhe Besa këtë mbështetje e kthyen vetëm në Gostivar dhe në asnjë komunë tjetër. Përsëri, "rastësisht" vetëm Taravari ishte i dashur për ta dhe jo edhe kandidatët e tjerë të ASH-së. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Besa doli nga Qeveria, pasi pushteti atëhershëm kontestonte fitoren e tyre në Zhelinë ku poashtu fituan me mbështetjen e sinqertë të ASH. E meqë u lirua një vend në Qeveri, Altermativa përsëri duke mos mundur të qëndrojë në opozitë, duke mos dashur bashkmin e ndryshimin, e duke parë mundësinë që të godas pas shpine ish bashkëpartiakët, por më shumë ASH-në e fuqishme dhe kryetarin e saj, Ziadin Sela, u bë pjesë e Qeverisë. Për herë të dytë tradhëtuan, u lodhën, u përçanë dhe hyjnë në Qeveri. Vëllezërit e tyre siamez qëndruan në opozitë, por nga opozita edhe ata filluan të luftojnë ASH-në, faktikisht forcimin e opozitës së bashkuar dhe filluan të thurin plane për vete. Bilall Kasami shpalli zgjedhje të reja në këshillin e Tetovës dhe në këto zgjedhje me të gjitha mekanizmat, por edhe me bashkëpunëtor të tyre brenda ASH-së që më vonë u vetëshpalosën, goditën Aleancën për Shqiptarët, si shenjë "falenderimi" për mbështetjen në 2021. Përsëri, Alternativa, Besa, me përçarje, goditje, vardisje e tradhëti. 

Duke mos u kënaqur me kaq dhe të nxitur nga apetitet personale e grupore të ngushta, duke mos i bërë ballë karizmës, autoritetit dhe figurës së Ziadin Selës e fuqisë së ASH-së, ata u bënë bashkëautorë të një plani të ri. Qëllimi ishte, përçarja të ndodhë edhe në Aleancë për Shqiptarët. Nuk arritën që në fillim, sepse brenda ASH kishte njerëz që pushtetin e donin aq shumë (grupi i përçarjes së fundit) dhe ishin para një situate të vështirë për ata. Kur me rekomandim të miqve ndërkombëtarë (siç ka konfirmuar edhe vetë Taravari), për tu dhënë mundësi proceseve integruese, Aleanca për Shqiptarët u bë pjesë e Qeverisë 1 vjeçare, grupi i Taravarit bashkë me të zgjodhën të jenë në Qeveri. Por, tendenca ishte që ata të mernin më shumë ministra e drejtorë dhe ashtu ndodhi. Gjithë të tjerët të prirë edhe nga Ziadin Sela, nga dëshira për të ruajtur unitetin në parti, në heshtje pranuan dhe lejuan këtë kusht jozyrtar. Dy ministri dhe drejtoritë më të rëndësishme i udhëhoqën njerëz të Arben Taravarit, të cilët ai i kishte afër e pjesë të grupit shumë më herët. Të zhgënjyer nga tradhëtitë dhe përçarjet e subjekteve të tjera, duke parë se atyre u ishte bashkangjitur dhe një grup i BDI që udhëhiqej nga nënkryetari për 20 vite i kësak partie, Kryesia e ASH solli vendim për të dalë vetë në zgjedhje. Për këtë vendim votuan edhe vetë Taravaru dhe njerëzit e tij. Por, normalisht, grupi që nuk guxonte të rrezikojë e frikësohej të qëndrojë në opozitë, apo më saktë në bllokun e tretë që vërtetë ishte sfidues, zgjodhi përçarjen, për tu bërë bashkë me ata që tanimë ishin të njohur e të dëshmuar për përçarje e tradhëti. Ziadin Sela i qëndroi stohik vendimit të kryesisë dhe shumicës së anëtarësisë. Por, kjo tradhëti e shumëfishtë nuk gëlltitej lehtë sepse tanimë dihej çfarë gatuhej për ne: "Të zhduket nga skena Aleanca për Shqiptarët, të shkrihet si emër e subjekt në një përzierje pa identitet dhe të vendoset në shërbim të agjendës së Hristijan Mickoskit, tanimë të shpallur publikisht për deshqiptarizimin e shtetit dhe përçarjen e skenës politike shqiptare". 

Duke qenë në një mes, nga njëra anë një subjekt me shumë gabime në qeverisje (BDI) e nga ana tjetër një grup mini partishë, me shumë përçarje, tradhëti e në fund edhe servilizëm para Mickoskit dhe agjendës së tij, e të gjendur edhe juridikisht, pa vula dhe mundësi për kandidim me listë të veten, Aleanca për Shqiptarët e drejtuar nga Ziadin Sela, zgjodhi të mbrojë dinjitetin e shqiptarëve dhe t'i bashkangjitet Frontit Europian, që kishte një agjendë për të ardhmen europiane të vendit dhe për mbrojtjen e të arriturave të deritanishme nga Marrëveshja e Ohrit. Sot 50 ditë nga Qeveria jolegjitime u dëshmua se agjenda e Mickoskit ishte rrënimi i këtyre arritjeve dhe degradimi i shqiptarëve, me çka u konfirmua se Ziadin Sela dhe ASH zgjodhi rrugën e drejtë. U dëshmua se përçarësit, nuk ishin bashkuar për shqiptarët, por kishin bërë një koalicion të grupeve të përçara, me politikanë të njohur për përçarje e që qëllim kanë vetëm pushtetin. Kjo po dëshmohet dhe do të dëshmohet edhe në të ardhmen me degradimin e vazhdueshëm të shqiptarëve. Brenda koalicionit vLEN, përçarësit kanë filluar përsëri me zënka për poste, drejtori e borde drejtuese, e si pasojë gjysma nuk flasin ndërmjet veti. 

Prandaj, duke u nisur nga veprimet vetanake, nga përvoja e madhe në përçarje, shitje të vëllezërve për pushtet, tradhëti e servilizëm, ata mendojnë se edhe të tjerët duhet të veprojnë me logjikën e tyre. Prandaj, ata nuk mund ta besojnë ende se si mund që Fronti Europian të mos përçahet, si mund Aleanca për Shqiptarët të mos tradhëtojë fjalën e dhënë edhe pse për këtë kanë dëshmi fjalën që ua kishim dhënë edhe atyre dhe kurrë se tradhëtuam. Ata duan të ngushllojnë veten dhe dëshirojnë që tradhëtinë e përçarjen ta shohin edhe tek të tjerët, për të qetësuar ndërgjegjen e për ta mbuluar turpin nga e kaluara dhe e sotshmja e tyre. Por, të jeni të bindur. Ata do të jenë përsëri më të shpejtë dhe të parët në kësi veprime. Ata do të përçahen përsëri të parët, do të tradhëtojnë edhe për herë të tretë e të katërt. Ata që lehtë prishën e përçanë shtëpitë e tyre, nuk do tu qëndrojnë besnik kasolleve të të tjerëve. Momentin e parë që do të ju lëkunden kolltuqet, ata do të shesin njëri-tjetrin dhe do të trokasin në dyert e Frontit Europian, njëjtë siç bënë në 2017, 2019, 2020, 2021, 2022...

 



Të ndryshme
Më shumë