Zyrtarë qeveritarë i kanë thelluar polemikat me ndërmjetësin evropian të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me mospajtimet mbi hapjen e Urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Emisarit Lajçak i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi lidhur me diskutimet që i kanë paraprirë paralajmërimit të Qeverisë për hapjen e Urës që e ndanë qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptar dhe veriun me shumicë serbe. Në një postim të mërkurën vonë në rrjetin social “X”, Lajçak ka shkruar se pretendimet që Bashkimi Evropian (BE) është kundër hapjes së Urës janë çorientuese.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e Urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së Urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj, janë çorientuese”, ka shkruar Lajçak në “X”.
Një ditë më parë Bislimi pati shkruar se BE-ja është duke kërcënuar me vendosjen e masave shtesë ndaj Kosovës po që se zbatohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga vetë ajo. Ai ka shkruar se emisari Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur pati diskutuar për temën e Urës mbi lumin Ibër, ka thënë që në rast se Kosova nuk preferon që kjo çështje të diskutohet në Bruksel, atëherë rekomandon që të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë. Ai, po ashtu, ka thënë se një partner i QUINT-it e pati shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike.
Pas realizimit të dy kërkesave shtesë, Bislimi ka thënë se BE-ja tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës nëse e hap urën për qarkullim të veturave.
E Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, e ka pyetur emisarin Lajçak se çfarë ka ndodhur që BE-ja e ka ndryshuar qëndrimin nga “hapja e Urës pa vonesa të mëtutjeshme” në “duhen më tepër bisedime”.
“Më herët e ka cekur vazhdimisht se ‘ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve, pa vonesa të mëtutjeshme’, sipas Raportit për Vendin (CR) mes viteve 2018-2022. Është e qartë se ka një ndryshim në qëndrimin e BE-së për të njëjtën çështje. Kështu, do të ishte korrekte t’u thuash njerëzve pse ky ndryshim? Çfarë ka ndryshuar nga viti 2023 për dallim me 2022 për BE-në që të kalojë nga ‘hapja e urës pa vonesa të mëtejshme' te 'duhen më shumë bisedime?’”, ka shkruar Krasniqi të enjten.
Njësoj sikurse BE-ja, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë deklaruar kundër hapjes së Urës në rrethanat aktuale. Në Departamentin amerikan të Shtetit kanë thënë për Zërin e Amerikës se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë, tek i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos marrë veprime të pakoordinuara.
“Hapja e Urës për trafikun e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendëse si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, kanë thënë në DASH.
Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës mos ta ndërmarrë këtë veprim që e konsiderojnë si “të pakoordinuar dhe të njëanshëm”.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta diskutojë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të QUINT-it – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, kanë thënë në DASH.
Departamenti amerikan i Shtetit ka specifikuar se objektiv i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.
“Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t'i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.
E zyrtarë serbë kanë vazhduar që të dramatizojnë me mundësinë e hapjes së Urës.
Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka deklaruar se ky do të ishte një veprim i rrezikshëm që e kërcënon mbijetesën e serbëve në Kosovë.
“Më e rëndësishme është që KFOR-i, para së gjithash, nuk e lejon hapjen e urës ndërmjet Mitrovicës veriore dhe asaj jugore. Hapja e Urës do të jetë cunami për mbijetesën e serbëve në Mitrovicë, prandaj po e bën këtë Albin Kurti”, ka thënë Vuçeviq.
Edhe pse hapja e Urës për qarkullimin e automjeteve parashihet në marrëveshjet me të cilat Serbia u pati dakorduar në Bruksel, Vuçeviq ka thënë se veprimi do të përbënte një “katastrofë” dhe se i anulon në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha bisedimet e të gjitha marrëveshjet, si dhe e bën procesin e dialogut të pakuptimtë.
E misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR – që vazhdon të ketë prezencë mbi Urë, nëpërmjet deklaratave të fundit ka bërë të qartë se është i gatshëm që të ballafaqohet me këdo që e cenon situatën e sigurisë në veri.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ka deklaruar se hapja e Urës nuk është kundër askujt, porse as ai dhe as vartës të tij nuk kanë treguar se kur ajo do të hapet për qarkullimin e automjeteve.