Që në fillim e rëndësishme është të mos ketë parë askush dhe që kush ishte okular të ketë frikë e mos te flasë.
Që motivi të jetë i dobët duhet shpikur një femër si “mollë sherri”, ose autori dhe viktima duhet të jenë të dehur, ose vrasësi dhe viktima gërvishtin makinat.
Në Pogradec, me autor vrasjeje Denis Meçen dhe të vrarë Eglantin Progën dosja është aq “e pafajshme” sa i bind të gjithë njerëzit e drejtësisë- fajet i ka alkooli dhe një “shpullë”.
Por përpara kësaj duhej, edhe njëherë në një skenë krimi, kamerat e sigurisë të ishin jo funksionale. Madje aq jo funksionale sa “ dvr në momentin e kqyrjes vizuale nuk bën kthimin e pamjeve filmike dhe është i qëndruar në vitin 1972”.
Edhe njëherë, dëshmitarët nuk panë gjë. Edhe njëherë autoambulanca mbërriti me vonesë. Policia u njoftua në orën 19:00. Dëshmitari e pa të ndjerin përtokë në orën 18.45.
Duhet edhe njëherë, si në dhjetëra krime të tjera ku pamjet fshihen, dëshmitarët kanë frikë e vendngjarja prishet, të përsëritet një copy paste lokale edhe për vrasjen e Eglantin Progës, 42 vjeç. Deja vu krimi.
Ndërkohë, në Pogradec një klient që po pinte birra vuri re konfliktin, por kur kushëriri i viktimës iu lut për ndihmë, ai nuk lëvizi vendit. Shprehimisht në dosje thuhet “ nuk pranoi ta ndihmojë”.
Mbase po i shijonte më shumë birra, nga kush duhet të kishte frikë ndryshe?