Kryeministri Albin Kurti pasditen e së martës, 13.08.2024, vizitoi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
Projektin për ndërtimin e kësaj rruge që përfshin njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 lote.
Në lotin 1 dhe lotin 3, punimet filluan sot, përderisa loti 2 është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Sipas njoftimit të Qeverisë, vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.
Nga vendpunishtja e lotit 3, kryeministri Kurti tha se ky projekt është i rëndësisë së jashtëzakonshme infrastrukturore Prizren – Tetovë, që lidh këto dy qytete, që lidh këto dy shtete, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë.
Ky lot ka gjatësinë prej afër 7 kilometrave dhe është në vlerë prej 8.3 milionë euro.
Ndërkaq, pas vizitës së lotit 1, Kurti u shpreh se synimi i Qeverisë është që t’i japin mbështetjen maksimale këtij aksi rrugor, këtij projekti infrastrukturor, që të kryhet sa më shpejt “për shkak se shumë kohë është humbur që Prizreni e Tetova të mbesin kaq gjatë të ndarë“.
Ai shtoi se punët po shkojnë mirë dhe janë shumë të gëzuar që po marrin pjesë në këtë fillim të punimeve për një aks kaq të rëndësishëm e jetik për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e për Maqedoninë e Veriut, për shqiptarët në të dy anët e Malit të Sharrit.
Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shpreh se ky projekt përpos që e lidh Autostradën “Ibrahim Rugova” me Korridorin Jon-Adriatik dhe me Korridorin 8 nga ana tjetër që është Tetova, shërben edhe për turizëm malor nga të dyja anët dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.
Kreu i Qeverisë u shoqërua në këtë vizitë nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me zëvendësministrat, Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, si dhe deputët Arbër Rexhaj dhe Artan Abrashi.