Informacioni i rremë u shpërnda në rrjet duke nxitur shumë njerëz të protestojnë rrugëve në disa qyteteve për ditë të tëra
Për ditë me radhë, Britania e Madhe është përfshirë nga kaosi që sollën protestat e dhunshme me motiv ksenofobinë.
Sipas mediave vendase, e gjitha ka nisur me një lajm të rremë. Në Southport një 17 vjeçar sulmoi disa persona në një shkollë baleti, kur tre fëmijë mbetën të vdekur. Shumë shpejt u përhap në rrjet informacioni, se vrasësi ishte një i ri azilkërkues, mysliman dhe që kishte mbërritur në Angli vitin e kaluar me anije përmes kanalit të La Mansh-it.
Por ky informacion ishte i rremë. Autori raportohet ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar si fëmijë emigrantësh. Informacioni i rremë u shpërnda në rrjet duke nxitur shumë njerëz të protestojnë rrugëve në disa qyteteve për ditë të tëra. Si mund të ndodhte kjo? Në një investigim BBC ka gjurmuar burimin e informacionit, ku ai u publikua përherë të parë.
Informacioni i rremë është publikuar në një portal lajmesh: Channel3Now, një faqe është e specializuar për tema të kriminalitetit. Në një deklaratë, një nga drejtuesit e portalit pranoi se publikimi i informacionit për autorin e Southport ka qenë një gabim i paqëllimshëm.
Një punonjës i portalit tha se sipërmarrja është komerciale, synon të publikojë sa më shumë ngjarje që të jetë e mundur.
Një informacion i rremë, që përshtatet me botëkuptimin e shumë njerëzve, të cilët e përhapin atë në rrjet. Në Telegram, në X (dikur Twitter) me pasoja konkrete:
“Ajo që përjetuam këtu është, se një lajm i rremë në rrjet përhapet duke nxitur dhunë e trazira offline”, thotë Sander van der Linden, profesor psikologjie në Universitetin Cambridge dhe ekspert për lajmet e rreme.
Informacionet e rreme përhapen shpejt, sepse kushdo mund t’i publikojë ato në rrjet.
“Informacionet janë pa dëshmi, të paverifikuara. Këto publikime mund të bëhen virale. Koncernet mediatike kanë verifikues faktesh, redaktorë, producentë, të gjithë verifikojnë. Ndërsa këto platforma nuk kanë mekanizma kontrolli”-, thotë van der Linden.
Javën e kaluar pikërisht edhe gazeta britanike “The Sun” i kushtoi vëmendje kësaj teme. Në titull shkruhej: “Media anti-sociale” – një lojë fjalësh me konceptin media sociale.
Krahas titullit ishte printuar edhe një gurëhedhës. Nëntitulli ishte: “Si Facebook e të tjerë nxisin dhunën në rrugët tona.”
Titulli tërheq vëmendjen edhe sepse kjo është një gazetë që i përket perandorisë mediatike të Rupert Murdoch, që po nxjerr në pah kthesën.
Nuk janë më tabloidët, gazetat e përditshme të bujshme, që japin tonin në Mbretërinë e Bashkuar e bëjnë politikë, por janë koncernet e mëdha të internetit. Elon Musk, pronar i platformës X, javën e kaluar sulmonte vazhdimisht kryeministrin britanik Keir Starmer. Një luftë civile është e pashmangshme, shkruante ai.
Musk akuzoi Starmer p.sh., se po mban qëndrim krejt ndryshe ndaj “protestuesve të bardhë” në vend që t’u kundërvihet dorasëve me prejardhje migracioni. Por për këtë ai nuk jepte asnjë dëshmi. Politikanë britanikë të skajit të djathtë e përdorën këtë argument – edhe ata pa ofruar prova.
Shefi i X Musk e lejoi sërish në platorfmën X aktivistin ekstremist të djathtë Tommy Robinson, i cili ka 900.000 ndjekës dhe poston Tweets me përmbajtje djathtiste dhe informacione të rreme duke i nxitur protestuesit e dhunshëm.