Deri tani, kjo teknologji nuk ka pasur thuajse asnjë ndikim ekonomik, shkruan “The Economist”.
Kur zhvendosesh në San Francisko, është e vështirë të mos përfshihesh nga mania e Inteligjencës Artificiale që ka kapluar qytetin.
Reklamat tregojnë se si kjo teknologji e re do të revolucionarizojë vendin e punës. Nëpër bare, njerëzit bisedojnë se kur makineritë e Inteligjencës Artificiale do të bëhen më të përparuara se njerëzit.
Pesë kompanitë më të mëdha teknologjike në botë, Alphabet, Amazon, Apple, Meta dhe Microsoft, kanë selinë qendrore në San Francisko dhe po investojnë shuma të mëdha parash në fushën e Inteligjencës Artificiale.
Për këtë vit, ato kanë planifikuar shpenzime kapitale me vlerë rreth 400 miliardë dollarë, kryesisht për pajisje të lidhura me Inteligjencën Artificiale dhe për kërkim-zhvillim.
Në kryeqytetin e teknologjisë botërore, merret si e mirëqenë ideja se Inteligjenca Artificiale do të shndërrojë ekonominë globale. Por në mënyrë që kjo teknologji të arrijë potencialin e vet të plotë, firmat në të gjithë botën duhet ta blejnë atë, t’i japin formë sipas nevojave të veta dhe të bëhen më produktive.
Vitin e kaluar, investitorët shtuan më shumë se 2 trilionë dollarë në vlerën e tregut të pesë kompanive më të mëdha teknologjike në botë, duke parashikuar një rritje të të ardhurave vjetore të këtyre kompanive, prej 300-400 miliardë dollarësh.
Sidoqoftë, tani për tani, kompanitë gjigante të teknologjisë nuk kanë arritur dot rezultate të tilla financiare, madje as nuk u janë afruar.
Edhe analistët më optimistë mendojnë se këtë vit, Microsoft do të fitojë vetëm rreth 10 miliardë dollarë nga shitjet e lidhura me Inteligjencën Artificiale. Dhe përtej bregut perëndimor të Amerikës, ka pak shenja se Inteligjenca Artificiale ka ndonjë ndikim të madh.
Një problem është shkalla e përdorimit të kësaj teknologjie të re. Kompanitë më të njohura po bëjnë vlerësime të fryra se sa njerëz po e përdorin Inteligjencën Artificiale gjeneruese.
Në një sondazh të fundit nga firma këshillimore McKinsey, afro dy të tretat e të anketuarve, thanë se kompania e tyre po e “përdor rregullisht” teknologjinë e Inteligjencës Artificiale gjeneruese, gati dy herë më shumë se një vit më parë.
Një raport i mëparshëm nga platformat Microsoft dhe LinkedIn, zbuloi se Inteligjencën Artificiale e përdorin rreth 75% e “punëtorëve të zyrave” në botë (pra ata që punojnë në një kompjuter).
Pra, sipas vlerësimeve të tilla, duket se njerëzit tashmë po jetojnë përnjëmend në botën e Inteligjencës Artificiale.
Dhe në njëfarë kuptimi, kjo është e vërtetë. Sepse pothuajse të gjithë e përdorim Inteligjencën Artificiale kur kërkojmë diçka në Google, ose kur zgjedhin një këngë në aplikacionin Spotify.
Por përfshirja e Inteligjencës Artificiale në proceset e biznesit, është diçka krejt e ndryshme. Agjencitë zyrtare të statistikave shtrojnë pyetje në lidhje me Inteligjencën Artificiale për kompanitë e të gjitha llojeve dhe fushave. Zyra e Regjistrimit e Amerikës zakonisht jep vlerësimet më të mira.
Ajo zbuloi se vetëm 5% e bizneseve e kanë përdorur Inteligjencën Artificiale në dy javët e fundit (shih grafikun 1). Edhe në San Francisko, shumë teknikë e pranojnë se nuk shpenzojnë 20 dollarë në muaj për versionin më të mirë të ChatGPT.
Një histori e ngjashme vihet re edhe jashtë Amerikës. Sipas shifrave të Kanadasë, vetëm 6% e firmave të vendit përdorën Inteligjencën Artificiale për të prodhuar mallra dhe për të ofruar shërbime në 12 muajt e fundit.
Sondazhet britanike tregojnë se përdorimi i kësaj teknologjie në Britani është disi më i lartë, me rreth 20% të të gjitha bizneseve të vendit që përdorin Inteligjencën Artificiale, edhe pse pyetjet formulohen më ndryshe.
Dhe madje edhe në Britani, përdorimi i Inteligjencës Artificiale po rritet shumë ngadalë. Që nga shtatori i kaluar, shifra nuk ka ndryshuar.
Pse po ngadalësohet përhapja e Inteligjencës Artificiale
Ndër arsyet pse po ngadalësohet përhapja e Inteligjencës Artificiale, janë shqetësimet për sigurinë e të dhënave, algoritmet e njëanshme dhe gabimet.
Për shembull, zinxhiri i ushqimeve të shpejta McDonald’s, kohët e fundit braktisi një provë ku po përdorte Inteligjencën Artificiale për të marrë porositë e klientëve, pasi sistemi nisi të bënte gabime, si një herë kur shtoi mish pule me vlerë 222 dollarë në faturën e një klienti.
Një këshillues thotë se janë shtuar aq shumë miniprojekte në fushën e Inteligjencës Artificiale, sa që investitorët nuk dinë më se ku të investojnë. Kompani të tjera i kanë ndalur fare projektet e mëdha sepse Inteligjenca Artificiale po zhvillohet aq shpejt, sa që teknologjia më e fundit, bëhet me shpejtësi e vjetruar.
Kompanitë që po shkojnë përtej eksperimentimit, po e përdorin Inteligjencën Artificiale gjeneruese për shumë detyra. Shërbimi ndaj klientit është ndoshta më i zakonshmi.
Firma ADP krenohet me “një veçori të re që u mundëson klientëve të bizneseve të vogla të shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale gjeneruese për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të kuptuar më mirë si të nisin një veprim në burimet njerëzore”.
Të tjerë e përdorin teknologjinë për reklamim. Kompania e telekomunikacionit Verizon thotë se e përdor Inteligjencën Artificiale për të krijuar një “plan të personalizuar” për klientët e saj. Zinxhiri i kafeneve Starbucks e përdor gjithashtu teknologjinë për këtë shërbim.
Mund të mendoni se përpjekje të tilla duken disi jo mbresëlënëse, dhe nuk do të ishit të vetmit.
Banka Goldman Sachs ka ndërtuar një tregues burse që ndjek ato kompani të cilat kanë pësuar “ndryshimin më të madh të mundshëm në të ardhurat bazë, falë përdorimit të Inteligjencës Artificiale, nëpërmjet rritjes së produktivitetit”.
Treguesi përfshin firma si Walmart, një zinxhir i madh ushqimor, dhe H&R Block, që ndihmon në përgatitjen e taksave.
Që nga fundi i vitit 2022, çmimet e aksioneve të këtyre kompanive nuk kanë arritur të tejkalojnë tregun më të gjerë të aksioneve (shih grafikun 2). Me fjalë të tjera, investitorët nuk shohin asnjë perspektivë për fitime shtesë.
Teknologjia e Inteligjencës Artificiale madje mund të ndikojë edhe për keq, duke i shpërqendruar drejtuesit nga çështje më të ngutshme.
Çfarë mund të thuhet në lidhje me raportimet se disa firma po përdorin Inteligjencën Artificiale për të shndërruar operacionet e tyre? Një shembull i përmendur shpesh është Klarna.
Kompania e shërbimeve financiare online, kohët e fundit tha se asistenti i saj i Inteligjencës Artificiale po kryente punën e 700 agjentëve të shërbimit ndaj klientit, me kohë të plotë.
Shefi i firmës thotë se, falë teknologjisë, punësimi në kompani po bie me një të pestën çdo vit.
Sidoqoftë, kjo nuk është tabloja e plotë. Sipas të dhënave të firmës këshillimore CB Insights, numri i punonjësve të Klarna-s filloi të binte shumë kohë përpara se të dilte në skenë Inteligjenca Artificiale si teknologji.
Kompania vlen ndoshta sa gjysma e vlerës që kishte në vitin 2021. Një nga shkaqet pse po shkurton numrin e punonjësve tani, është edhe punësimi i tepruar gjatë pandemisë Covid-19.
Nuk dalin llogaritë
Në të vërtetë, nuk ka asnjë shenjë në të dhënat makroekonomike që tregon se janë rritur pushimet nga puna për shkak të Inteligjencës Artificiale.
Kristalina Georgieva, shefja e FMN-së, kohët e fundit paralajmëroi se Inteligjenca Artificiale do ta godiste tregun e punës si “një cunami”.
Sidoqoftë, tani për tani, papunësia në shtetet e pasura në përgjithësi, është nën 5%, afër nivelit më të ulët historik. Përqindja e të punësuarve në vendet e pasura është afër nivelit më të lartë të të gjitha kohërave.
Rritja e pagave gjithashtu mbetet e fortë, gjë që është e vështirë të përballohet me një mjedis ku mendohet se po zbehet fuqia negociuese e punëtorëve.
Efekti i Inteligjencës Artificiale nuk mund të gjendet dot edhe nëse gërmojmë më thellë në shifra. Punëtorët nuk po ndryshojnë kompani më shpejt se zakonisht, siç do të ndodhte nëse do të zhdukeshin shumë vende pune njëherësh.
Duke përdorur të dhënat amerikane për punësimin sipas profesionit, jemi përqendruar te punonjësit e zyrave të të gjitha llojeve.
Mendohet se role të tilla janë të cenuara nga Inteligjenca Artificiale, e cila po aftësohet gjithnjë e më tepër në detyra që kërkojnë arsyetim logjik dhe krijimtari.
Pavarësisht kësaj, punësimi i punonjësve të zyrave është një pikë përqindje më e lartë se përpara pandemisë (shih grafikun 3).
Prisni përfitime të vona
Me kalimin e kohës, bizneset mund të zgjohen dhe të kuptojnë se duhet të përfitojnë nga Inteligjenca Artificiale. E vërteta është se shumica e valëve teknologjike, duke filluar nga traktori dhe energjia elektrike, e deri te kompjuteri personal, kërkojnë kohë për t’u përhapur në të gjithë ekonominë botërore. Dhe duke u mbështetur në vlerësimin se të ardhurat e kompanive të mëdha teknologjike do të rriten mesatarisht me 20% në vit falë Inteligjencës Artificiale, investitorët parashikojnë se pothuajse të gjitha të ardhurat nga Inteligjenca Artificiale e kompanive të mëdha teknologjike, do të vijnë pas vitit 2032.
E ardhmja
Disa ekonomistë mendojnë se Inteligjenca Artificiale do të shndërrojë ekonominë globale pa i larguar njerëzit nga vendet e punës. Bashkëpunimi me një asistent virtual mund të përmirësojë performancën në vendin e punës.
Një punim i ri nga Anders Humlum në Universitetin e Çikagos dhe Emilie Vestergaard në Universitetin e Kopenhagës, anketoi 100,000 punëtorë danezë.
Një i anketuar mesatar vlerëson se aplikacioni i Inteligjencës Artificiale ChatGPT, mund të përgjysmojë kohën e shpenzuar për rreth një të tretën e detyrave të punës, dhe në teori, kjo është një nxitje e madhe për efikasitetin në punë.
Sidoqoftë, të dhënat makroekonomike tregojnë gjithashtu se ka pak prova të rritjes së produktivitetit falë Inteligjencës Artificiale. Vlerësimet e fundit, duke përdorur shifrat zyrtare, tregojnë se prodhimi real për punonjës në një shtet mesatar të pasur, nuk po rritet aspak.
Në Amerikë, që është qendra globale e Inteligjencës Artificiale, prodhimi në orë mbetet nën nivelin para vitit 2020. Edhe të dhënat globale të nxjerra nga anketat e menaxherëve të blerjeve, tregojnë se nuk ka asnjë shenjë të rritjes së produktivitetit
Për të pasur një rritje të tillë, kompanitë duhet të investojnë në Inteligjencën Artificiale.
Përveç kompanive gjigante teknologjike, të cilat po shpenzojnë kryesisht për të zhvilluar produkte të Inteligjencës Artificiale për të tjerët, shumica e kompanive të botës nuk po e bëjnë këtë gjë. Shpenzimet kapitale në firmat e tjera që janë pjesë e aksioneve të listuara në S&P 500, ka të ngjarë të bien këtë vit në terma realë.
Në të gjithë ekonominë amerikane në tërësi, shpenzimet kapitale kanë mbetur në vend.
Investimi i përgjithshëm i bizneseve në pajisjet dhe softuerët e përpunimit të informacionit, po rritet me 5% në bazë vjetore në terma realë, shumë nën nivelin e mesatares afatgjatë. Në të gjitha shtetet e pasura, investimet po rriten më ngadalë se në vitet 2010.
Me kalimin e kohës, bizneset mund të zgjohen dhe të kuptojnë se duhet të përfitojnë nga Inteligjenca Artificiale. E vërteta është se shumica e valëve teknologjike, duke filluar nga traktori dhe energjia elektrike, e deri te kompjuteri personal, kërkojnë kohë për t’u përhapur në të gjithë ekonominë botërore.
Dhe duke u mbështetur në vlerësimin se të ardhurat e kompanive të mëdha teknologjike do të rriten mesatarisht me 20% në vit falë Inteligjencës Artificiale, investitorët parashikojnë se pothuajse të gjitha të ardhurat nga Inteligjenca Artificiale e kompanive të mëdha teknologjike, do të vijnë pas vitit 2032.
Nëse më në fund arrihet të materializohet “bumi i Inteligjencës Artificiale”, atëherë do të rriten jo vetëm çmimet e prodhuesve të Inteligjencës Artificiale, por edhe të përdoruesve.
Por nëse rriten shqetësimet për Inteligjencën Artificiale, shpenzimet kapitale të kompanive të mëdha teknologjike do të duken po aq ekstravagante sa edhe vlerësimet e tyre. /Monitor/