Presidenca e Kosovës ka reaguar në lidhje me incidentin në aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja Vjosa Osmani pasi Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut tha se në raportin e nxjerrë për këtë rast, duke theksuar që shërbimet e aeroportit kanë respektuar rregullat.
Por, Presidenca thotë se në asnjë vend të botës nuk i kërkohet kreut të shtetit që të dorëzojë telefonin për skanim apo edhe sendet personale. Sipas reagimit të Presidencës, Republika e Maqedonisë së Veriut është i vetmi shtet nën botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit.
“Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit. Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhet në reagim.
Po ashtu, Presidenca tha se Osmani nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit, pra ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas “propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”.
Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoni të Veriut ka nxjerrë të premten raportin, për incidentin që i ka ndodhur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 1 gusht.
Sipas njoftimit, ekipi i inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC), i udhëhequr nga drejtori Dragi Stojanoski, ka rishikuar provat dhe ka bërë një kontroll të jashtëzakonshëm në TAV Maqedoni, lidhur me incidentin në të cilin ishte përfshirë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
AAC njofton se gjatë inspektimit fillestar është konstatuar se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollet e sigurisë, në përputhje me përgjegjësitë e tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat e vendosura sipas rregulloreve ndërkombëtare të zbatuara, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedura edhe nën presionin e personave që shoqëronin pasagjerin.
Sipas njoftimit, refuzim për kontrolle të sigurisë nga Osmani, ka pasur edhe më 2022 e 2023.
“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë pranohen vetëm pasi piloti i avionit ka refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie. Nëse zyrtarët në TAV Maqedoni do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si organ përgjegjës për rregullimin e tyre”, theksojnë në raportin e ACC, sipas Alsat.
Meqenëse këto janë standarde ndërkombëtare të pranuara përgjithësisht, nëse dikush dyshon në besueshmërinë e tyre, ata rekomandojnë të aplikojnë të njëjtën praktikë në një nga aeroportet ndërkombëtare evropiane, në mënyrë që të jenë të sigurt për zbatimin e tyre.
Kujtojmë se pas incidentit, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar që brenda Aeroportit, presidentes Osmani vetëm i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet, por më pas një person nga sigurimi i presidentes është larguar nga punonjësja e TAV-së (kompania që menaxhon aeroportin), me qëllim që Osmani të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”, u tha në reagimin e Ministrisë. Ky institucion thotë se situata nuk përfundoi këtu, pasiqë pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes.
Sipas Ministrisë, në të njëjtën kohë polici ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare dhe është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).
Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.
Presidenca kosovare menjëherë pas incidentit ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.
Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të hënën tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, homologu i tij kosovar, Albin Kurti, tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen.
Gjatë një konference për media, pas takimit në Shkup me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëriten, teksa shtoi se dy shtetet kanë raporte të mira. Kryeministri maqedonas tha se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë “deri në momentin kur të largohet”.
Ai po ashtu tha se autoritetet e Aeroportit në Shkup aplikojnë masa standarde të sigurisë, sa i përket fluturimeve komerciale. /Reporteri.net/