Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se me vendimet e pakoordinuara dhe në vijimësi, Kosova po vë në rrezik besimin e Uashingtonit dhe mundësitë që i janë ofruar.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller theksoi se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimet e fundit të qeverise se Kosovës. Ai ju referua mbylljes së disa objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit disa ditë më parë.
Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit: Ne besojmë se qeveria kosovare po vë në rrezik mundësitë që ne i kemi ofruar. Nëse e shikoni që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si një demokraci sovrane e multientike. Për të realizuar këtë vizion që ne ndajmë, kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës në masat për të fuqizuar paqen dhe përparimin në vend, duke e ndihmuar Kosovën në rrugën euroatlantike.
Miller e inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të kthehet “në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv” me SHBA-te, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Zëdhënësi i DASH-it tha se këto qëndrime ia kanë shprehur edhe privatisht Qeverisë së Kosovës, por nuk dëshiron që spekulojë për veprimet në të ardhmen.
Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se nëntë objektet e mbyllura ë Postës së Serbisë në veri të Kosovës nuk kishin licencë për punë.
Në një zhvillim tjetër që ka rritur tensionet dhe shkaktuar protesta nga serbët është vendimi që qeveria e Kurtit, synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.
Klan News