Klubi anglez, West Ham United ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me sulmuesin gjerman Niclas Fullkrug nga Borussia Dortmund.
Fullkrug ishte në radarin e klubit londinez që në sezonin e kaluar, por më pas sulmuesi gjerman vendosi të transferohej nga Werder Bremen në Dortmund, ku shënoi 16 gola në 46 paraqitje në të gjitha garat.
“Mendoj se Liga Premier është liga më e mirë në botë dhe është koha e duhur që të shkoj në Angli dhe të luaj për një klub të madh si West Ham”, ka thënë fillimisht Fullkrug.
“Unë kam menduar për West Ham për një kohë të gjatë. E njoh shumë mirë drejtorin teknik Tim Steidten, sepse ne kemi një histori të përbashkët në Werder Bremen, dhe kam parë disa ndeshje dhe kam parë se sa cilësi ka në ekip”, përfundoi gjermani.
Transferimi i Fullkrug po cilësohet disi befasues duke pasur parasysh se ai është ndër finalistët e Ligës së Kampionëve dhe shkoi te një skuadër që ishte vetëm e 14-ta në Ligën Premier sezonin e kaluar.
Detajet financiare të kontratës nuk janë publikuar, por sipas mediave, Çekikanët kanë paguar rreth 35 milionë euro për lojtarin e kombëtares gjermane.
31-vjeçari me eksperiencë ishte anëtar i kombëtares gjermane që arriti deri në çerekfinale të Euro 2024, duke shënuar dy gola në pesë ndeshje.