Qeveria e Kosovës thotë se ka përmbush të gjitha obligimet e saj për largimin e masave të BE-së, ndërkaq shtetet e BE -së vazhdojnë të këmbëngulin se masat do të largohen vetëm gradualisht. Ndërkaq opozita dhe njohësit e fushës për këto vonesa akuzojnë Qeverinë e Kosovës, që sipas tyre nuk ka pasur vullnet politik për largimin e masave.
Po bëhen pothuajse dy muaj që kur përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell ia dorëzoi Këshillit Evropian raportin për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ende nuk ka një vendim të vendeve anëtare për këtë çështje. Qeveria e Kosovës ndërkohë vlerësoi se BE-ja ka të gjitha arsyet për të larguar masat e vëna ndaj Kosovës. Zëdhënësi Klisman Kadiu tha për RTV21 se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat për deeskalim të situatës në veri të vendit, kthimit të normalitetit dhe integrimit të serbëve atje.
“Mbajtja ende në fuqi e këtyre masave përkundër rekomandimit pozitiv nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Josep Borrell tashmë është e pakuptimtë. Ishte vetë letra e z. Borrell e 3 qershorit 2023, ajo që vendosi kushtet për vendosjen e masave ndaj Kosovës, që pasoi me marrëveshjen e Bratisllavës, dhe vetë përfaqësuesi i lartë Borrell i cili i ka propozuar fillimisht ato, ka një muaj që ka konstatuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe masat duhet të hiqen. Nuk ka patur as qartësi të plotë rreth modalitetit të vendosjes së masave, e tashmë edhe heqja e tyre po tentohet të keqpërdoret e zvarritet pa nevojë”, tha Kadiu për rtv21.
Pas shumë përpjekjeve e kërkesave të shumta, Kosova ende vazhdon të jetë nën masat e Bashkimit Evropian, të cilat për një kohë të gjatë përplasën pushtetin dhe opozitën. Dëmi ekonomi, social dhe politik është jashtëzakonisht i madh, thotë kryetari i komisionit për ekonomi, Ferat Shala.
Derisa Qeveria e Kosovës mburret se ka kryer të gjitha obligimet e saj për heqjen e masave të BE-së, ish ministri i financave, Haki Shatrit, akuzon atë se nuk ka pasur vullnet politik.
Analistja politike, Magbule Shkodra, ndërkaq listoi disa nga gjërat që duhet t’i përmbush Kosova për heqjen e këtyre masave.
Masat ndaj Kosovës u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur shqiptarët u zgjedhën kryetar në katër komunat në veri. Disa nga vendet anëtarë të BE-së kërkuan heqjen e masave por një pjesë e tyre thanë se duan të shohin më shumë përparim dhe masat duhet të hiqen gradualisht./RTV21/21Media